Protesta që po mbahet prej disa ditësh në Tiranë për Zvërnecin, ku nuk kanë munguar edhe thirrjet “burg për Berishën”, mori këtë reagim nga kreu i Partisë Demokratike. 

“Respektojmë të drejtën e çdo njeriu për protestë. Kurse përsa i përket atyre grupeve të opozitës kundër opozitës, ata janë mjerimi, mjerimi i vërtetë i politikës dhe i qytetarisë shqiptare. Nuk duhet t'ia u varim fare”, tha Berisha.

Duke u rreshtuar edhe një herë pro projektit të Zvërnecit, që e bën të famshme sipas tij Shqipërinë, por Edi Rama thotë se duhet ofrojë garancinë e shtetit të gjitha palëve.

“Atëherë do ulesh me mjedisorët dhe do u japësh garanci. Dhe kjo zonë e bën Shqipërinë të famshme në botë. Është një mrekulli, mrekulli Po e bën të famshme me kusht që mos ta shëmtosh, mos ta shkatërrosh, me kusht që ta zhvillosh në përputhje me të gjitha kushtet”, tha Berisha.

Edhe çështja e pronës nuk mund të jetë vetëm mes pronarëve dhe investitorit thotë Berisha, për të cilin mediat kanë raportuar lidhje me të dyshuarin Artur Shehu.

“Herën e fundit, në fjalën e tij tha, 'Unë' tha 'ju kam thënë atyre që të zgjidhin problemet me pronarët'. A e dini si është puna e pronarëve është aty t'ju them unë ju? Aty ligji dhe shteti duhet të jetë garanti”, tha Berisha.

Në fund Berisha thotë se janë të dënueshme edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama që protestën e sheh si një përpjekje të Greqisë për të nxitur reagime kundër projektit në Zvërnec.