Protesta e paralajmëruar prej dy ditësh në Librazhd për Zvërnecin ka dështuar të mobilizojë qytetarët dhe në shesh ka dalë vetëm një protestues.

Qytetari që mori pjesë i vetëm në protestë deklaroi se, megjithëse ka shumë arsye për të kundërshtuar politikat e qeverisë, përfshirë edhe projektin e “Paketës së Maleve”, banorët kanë frikë të dalin publikisht pasi ndihen të kërcënuar.

“Nëse Librazhdi ka 5 apo 6 mijë veta që punojnë, shumica janë në arsim, në mjekësi apo në bashki dhe të gjithë janë të kërcënuar që të mos dalin në shesh. Sot është dita kur njerëzit duhet të protestojnë”, u shpreh ai.

Duke folur për resortin që është planifikuar të ndërtohet në Zvërnec, qytetari ngriti pikëpyetje mbi përfitimet që sjell ai investim për shqiptarët..

“Po t’i pyesësh të gjithë punonjësit e Librazhdit sa prej tyre kanë shkuar ndonjëherë në resorte, përgjigjja është asnjë. Atëherë pse do t’i ndërtojmë këto resorte? Pse nuk më jep edhe mua qeveria 200 metra tokë buzë detit me 1 euro si investitor strategjik dhe të ndërtoj vilën time si të gjithë investitorët strategjikë?”, tha ai.

“Do të ndërtohet Zvërneci, por kush do të qëndrojë aty? Vetëm deputetët, sepse një kafe kushton 20 euro. Thuhet se do të hapen vende pune, por kush do të punojë aty? Bangladeshasit apo indianët, sepse ata punojnë për 500 euro. Shqiptarët jo”, shtoi qytetari.

Sipas protestuesit, mungesa e pjesëmarrjes në protestë është tregues i presionit që, sipas tij, ushtrohet ndaj qytetarëve.

“Kur një protestë njoftohet 48 orë më parë dhe nuk sheh asnjë njeri në shesh, kupton sa e fortë është diktatura këtu”, deklaroi ai.