Sapo mazhoranca votoi në Kuvend amnistinë penale, Arben Kola, një nga nismëtarët e protestës për Zvërnecin, udhëhoqi grupin e vogël të qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, drejt Parlamentit.

Në fakt, në Kuvend, nuk ishte asnjë nga deputetët e Partisë Demokratike të cilët siç Sali Berisha i orientoi bojkotuan votimin e amnistisë penale. 

Ashtu si Berisha, kundër amnistisë u shfaq edhe udhëheqësi i protestës së flamingove:

Nuk dihet nëse kjo lëvizje për të shkuar në Kuvend për një votim të kundërshtuar nga PD dhe vetëm me deputetët e PS brenda, ishte e koordinuar mes të gjithë organizatorëve të protestës, apo ishte një zgjedhje e Arben Kolës, të riut nga Kukësi që ka deklaruar se rrjedh nga familje demokratësh, por se vetë është i pavarur.

Por ajo që u pa, është se kur orari i protestës kishte trokitur, një pjesë tjetër e qytetarëve, ishin mbledhur para kryeministrisë, duke mos u bërë pjesë e grupit që Arben Kola dirigjoi te Parlamenti.

Qëndrimi i shkurtër para godinës së Kuvendit, shënoi edhe një incident ndaj deputetit socialist Ardit Bido, i cili duke dalë nga seanca plenare, u vu përballë zemërimit të protestuesve. U desh ndërhyrja e forcave të policisë për ta nxjerrë nga mesi i qytetarëve që e etiketonin hajdut, e tentuan ta sulmojnë në një moment edhe fizikisht.

Marshimi më tej drejt kryeministrisë, u ndal për pak, para selisë blu. Nuk vonoi, dhe sulmi këtë radhë iu kthye protestuesve. Njerëz pranë Partisë Demokratike të shqetësuar nga thirrja “Berisha në burg”,  tentuan deri në përplasje me marshuesit.

Para Kryeministrisë, vendi iu la fjalimeve Edhe në podium thirrjet ishin kundër sistemit të vjetër politik. Një qytetar u kërkoi shqiptarëve të clorohen nga idhujt dhe të shërohen nga Ramizmi dhe Berishizmi.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:33
Dita e 19-të, protestuesit mbyllin protestën për Zvërnecin dhe kundër qeverisë pas marshimit në rrugët e Tiranës

 

Pas një marshimi të gjatë në rrugët e Tiranës, protestuesit kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, si dhe kundër qeverisë, përmbyllën protestën e ditës së 19-të në Sheshin Skënderbej.

Ora 22:49
Protesta për 'Zvërnecin' dhe kundër qeverisë, vijon marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës

 

Marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës pas protestës së 19-të para Kryeministrisë, po vijon ende.

Tubimi nisi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit u grumbulluan përpara Kryeministrisë, për të vijuar më pas marshimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Më pas, kolona e protestuesve kaloi nga zona e “Komunës së Parisit”, një prej zonave më të populluara të Tiranës. Marshimi ka vazhduar më tej përgjatë zonës së Digës së Liqenit Artificial, ndërsa protestuesit janë shfaqur edhe në afërsi të Parkut Olimpik, ku vijojnë thirrjet dhe mesazhet kundër qeverisë.

Ora 21:36
Protesta e 19-të para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

 

Në përfiundim të protestës së 19-të para Kryeministrisë kundër ndërtimit të resortit në Zvënec, si dhe kundër kryeministrit Edi Rama, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës.

Ora 21:23
'Zvërneci'/ I riu: Rama do të sjellë familjen Trump, e shquar për zullume! Organizatori Arben Kola: Po abuzohet me mikrofonin, nuk jemi kundër SHBA-së

 

Gjatë protestës së 19-të kundër resortit në Zvërnec, një i ri i cili tha se ka ardhur nga Amerika posaçërisht për tubimin, mbajti një fjalim ku kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama.

"Ku e gjeti lejen ky që shet Zvërnecin dhe Sazanin? Ku e gjeti lejen ky fytyrë e ndyrë që boshatisi gjithë vendin e i largoi të gjithë njerëzit? Të gjithë janë nëpër gjykata se nuk marrin dot tokat, ndërsa ky ndryshon ligjin për të na sjellë farën e keqe të Trumpit, familje e njohur për zullumet më të këqija, së bashku me Izraelin që bën gjenocid, përdhunime, pedofili, kanibalistë",- tha i riu.

Pas deklaratave të tij, reagoi organizatori i protestës, Arben Kola, i cili u distancua nga komentet që lidheshin me familjen Trump dhe Izraelin dhe që, sipas tij, nuk kishin lidhje me kauzën e protestës.

“E kemi thënë që 1 milion persona duan të flasin. Ne nuk jemi as kundër lidhjes me Shtetet e Bashkuara, as kundër Amerikës, ne jemi kundër klikës. Do t’ju lutesha të na mirëkuptoni, sepse shpeshherë po abuzohet me mikrofonin. Çdo folës që nxit urrejtje dhe merret me punët e huaja, dhe jo me punët e shtëpisë tonë, nuk ka lidhje me këtë shesh”, u shpreh Kola.

Ora 21:18
Profesori i Mjekësisë: Rini mos u përçani, mblidhuni këtu çdo ditë! Jeni zemra e Shqipërisë

 

Një profesor nga Universiteti i Mjekësisë tha gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë i bëri thirrje të rinjve që të mblidhen çdo ditë në shesh, për rrëzimin e qeverisë.

"Rama jepe dorëheqjen. Edi Rama kjo është rinia shqiptare që ti deshe ta degdijse në Europë, por shqiptarët nuk e tradhëtojnëvendin e tyre. Boll me një qeveri të korruptuar. Jemi i vetmi në Europë ku lumi i haleve kalon mes tij, dhe prodhuesi më i madh është ai që e ka shtëpinë të rinj e të reja largohen për të marrë jetë. Rini mos u përçaj, mblidhuni këtu çdo ditë. Jeni zemra e Shqipërisë, jeni e ardhmja e Shqipërisë”, tha profesori nga Universiteti i Mjekësisë.

Ora 21:09
Protesta kundër investimit në Zvërnec, ‘Flamingot’ zbarkojnë në sheshin para Kryeministrisë

 

Në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, para godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet protesta kundër investimit në Zvërnec, është zhvilluar ‘Parada e Flamingove’.

Me dhjetëra protestues, duke mbajtur në duar simbole të flamingove të punuara artistikisht, kanë parakaluar para Kryeministrisë.

Flamingot, shpendët që vizitojnë Lagunën e Nartës, janë kthyer në simbol të protestës kundër investimit në Zvërnec.

Ora 21:00
Dita e 19-të, qytetarët kërkojnë radikalizimin e protestave: Edi Rama nuk largohet ndryshe, duhet mosbindje civile

1781809360_ëeqgrqgrëqehgr.JPG

Në ditën e 19-të të protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec si dhe kundër qeverisë, protestuesit kërkojnë radikalizimin e tubimeve në mosbindje civile

“I bëj thirrje organizatorëve të ndryshojmë strategji. Edi Rama nuk largohet me fjalë. Duhet të bllokojmë institucionet, duhet të kalojmë në mosbindje civile. Nuk ka zgjidhje tjetër. Duhet një strategji tjetër. Është e dhimbshme, nuk ka luftë pa gjak. Mos të qëndrojmë këtu në shesh, të shkojmë aty ku paralizohet shteti, ku bllokohet qeveria. Të bllokojmë shtetin.”

Ora 20:59
Protestuesi thirrje shqiptarëve: Shërohuni nga Ramizmi dhe Berishizmi, çlirohuni nga idhujt! Duhet të çohemi mbi tiraninë

1781809218_xgcfhkk.JPG

Një qytetar gjatë fjalës së tij në protestën para godinës së Kryeministrisë u ka bërë thirrje shqiptarëve që të çlirohen nga idhujt dhe të ‘shërohen’ nga Ramizmi dhe Berishizmi.

“Kjo protestë ka vetëm një pikë të panegociueshme. Dorëheqja e Ramës pa negociata. Subvencionet që BE i ka dhuruar për bujqit dhe fermerët shqiptarë, janë vjedhur nga ky maskara. Prandaj duhet të dorëhiqen. Pas dorëheqjes, duhet që institucionet legjitime ta burgosin. Popull shqiptar, shërohuni nga Ramizmi dhe Berishizmi. Mos të bëjmë idhuj individin. Kemi idhull atdheun tonë, Shqipërinë tonë të bukur. Ne duhet të çohemi mbi tiraninë, që e shkelin këtë popull në emër të kultit të individit. Boll është boll”, tha një qytetar në protestë.

Ora 20:58
Mes pankartave dhe thirrjeve, fëmijët pikturojnë në protestën para Kryeministrisë

 

 

Qytetarët vijojnë të protestojnë në ditën e 19-të para kryeministrisë. Ndërkohë prindërit që kanë marrë me vete të vegjlit kanë krijuar një hapësirë ku ata mund të pikturojnë dhe të shprehin kreativitetin e tyre, ashtu si edhe në protestat paraardhëse.

 Siç shihet nga pamjet, fëmijët janë angazhuar me bojëra, letra dhe vizatime të vendosura në asfalt, nën vëzhgimin e prindërve të tyre, duke i dhënë protestës një atmosferë ndryshe dhe më creative.

Ora 20:50
'Zvërneci'/ Studenti kritikon ata që nuk shkojnë në protestë: Po bëni padrejtësi dhe mëkat

1781808808_ewfqwgerqgrq.JPG

Në tubimin e 19-të kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, si dhe kundër qeverisë, një student u bëri thirrje qytetarëve që janë skeptikë ndaj protestës që t'i bashkohen asaj me patjetër.

“Dua të flas shkurt për ata të ashtuquajturit neutralë, për ata që rrinë dhe na shohin nga kolltuku, për ata që thonë “unë nuk merrem me politikë”. Dua t’ju them një gjë: Nëse ti hesht ndaj padrejtësisë, ai që po bën padrejtësi je edhe ti. Ai pra që e di ta bëjë të mirën dhe nuk e bën atë, po bën mëkat. Dilni pra, shqiptarë, dilni për Shqipërinë e prindërve tuaj, dilni për Shqipërinë e fëmijëve tuaj, dilni për Shqipërinë tuaj",- tha studenti.

Ora 20:46
Ish-polici i bashkohet protestës para Kryeministrisë: Burra mos e lëshoni frontin, fitorja do jetë e juaja! 61% e shqiptarëve thonë 'Rama ik'

1781808586_xfhjkkk.JPG

Një ish-efektivë policie i është bashkuar protestës së sotme të qytetarëve para godinës së Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij, ai i ka thënë protestuesve se 90% e popullit shqiptar është me ta. Ai i ka kërkuar protestuesve që të mos e lëshojnë ‘frontin’ dhe të vijojnë qëndresën për fëmijët e tyre.

“Me parametra shkencorë, është gjetur me anketa, 90% e popullit shqiptar është me ju. 61% e popullit me parametra shkencorë thonë ‘Rama ik’. Burra, janë parametra shkencorë, nuk janë llafe pazari. Prandaj është frikësuar ky zotëria jonë. Burra mos e lëshoni frontin. Fitorja do jetë e juaja. E ardhmja do të jetë e fëmijëve tanë. Ju lutem qëndroni për fëmijët tanë”, tha ish-polici.

Ora 20:39
Qytetari nga protesta: Kemi numrin më të ulët të mjekëve në rajon për banorë! Qeveritë kanë investuar shumë pak për shëndetin e njerëzve

 

Një protestues është shprehur gjatë fjalës së tij se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë nga gjithë rajoni dhe Europa.

Gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë, protestuesi tha se e kundërta ndodh me numrin e policëve, i cili sipas tij është më i larti në rajon dhe Europë për banorë.

“Në të gjitha kuptimet, qeveria dhe qeverisja njihen si institucion shërbestar ndaj popullatës. Ndërsa shqiptarët i njohin prej vitesh si një çetë hajdutësh, që veprojnë kundër popullit që i zgjedh, i mban, i ushqen duke sakrifikuar. Të gjithë jemi dëshmitarë që kemi shërbimin më të keq mjekësor në rajon. Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për 1 mijë banorë, ndërkohë që ka numrin më të madh të policëve për banorë në të gjithë rajonin dhe gjithë Europën. Ne shqiptarët kemi si fjalë ‘të kemi shëndetin’. Por qeveritë e Shqipërisë kanë investuar minimumin për shëndetin e njerëzve. Vetëm 2.8% e buxhetit shkon për shëndetin e njerëzve”, tha një protestues.

Ora 20:34
Mjekja nga protesta para Kryeministrisë: Shqipërinë e Re të mos e presim nga dikush tjetër, duhet ta ndërtojmë vetë

 

Mjekja gjinekologe Arvesa Qinami është shprehur gjatë fjalës së saj në protestën para Kryeministrisë se ‘Shqipërinë e Re’ duhet ta ndërtojnë vetë shqiptarët dhe të mos presin nga të tjerët.

Qinami tha se duhen krijuar kushtet që intelektualët dhe ekspertët shqiptarë kudo në botë, të japin kontributin e tyre në Shqipëri.

“Do na duhej një natë shumë e gjatë për t’i folur të gjitha problemet që kemi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është çfarë do bëjmë tani e tutje. Nuk vazhdohet më me arrogancën, me mungesën e transparencës dhe pandëshkueshmërinë. Ne kemi treguar se Shqipëria ka intelektualë të shkëlqyer, brenda dhe jashtë vendit. Të krijojmë kushtet që ekspertët tanë, kudo ndodhen, të japin kontributin e tyre këtu në Shqipëri. Atdhedashuria nuk matet me fjalë. Unë kam një ëndërr, që Shqipërinë e re të mos e presim nga dikush tjetër, por ta ndërtojmë vetë”, tha mjekja gjinekologe Arvesa Qinami.

Ora 20:30
Deputeti demokrat Arjan Ndoja u bashkohet sërish protestuesve para Kryeministrisë, kërkohet edhe 'Berisha në burg'

Edhe në protestën e 19-të kundër resortit në Zvërnec, si dhe kundër qeverisë, deputeti Arjan Ndoja nuk mungoi.

Ligjvënësi demokrat u pa sërish para Kryeministrisë, ku përveç thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit thërrasin "Berisha në burg".

Ora 20:25
‘Zvërneci’/ Protestuesi fton deputetët e PS dhe PD: Ndiqni shembullin e Koçekut dhe bashkohuni me ne! Mos qëndroni në anën e errët të historisë

 

Një qytetar që ka marrë pjesë në protestën që po zhvillohet kundër investimit në Zvërnec, ka ftuar të gjithë deputetët e PS dhe PD që të largohen nga partitë ku bëjnë pjesë dhe të bashkohen me protestuesit.

Duke i ftuar të ndjekin shembullin e deputetes Marjana Koçeku që u largua nga PS, ai tha se deputetët s’duhet të qëndrojnë në anën e errët të historisë.

“Desha të bëj 2 falënderime, i pari për protestën më të bukur dhe shembullin më të bukur europian dhe më gjerë. I dyti konsiston në rezolutën e PE që na dha të drejtë ne protestuesve të quajtur torollak, nga ky kryeministër torollak. Falenderim nga zemra për të gjithë pjesëmarrësit këtu dhe për ata që do të vijnë këtu. Ftoj të gjithë deputetët e PS e PD që të na bashkohen, të ndjekin shembullin e Koçekut. Të mos rrinë në anën e errët të historisë. Edi Rama largohu, sepse ne nuk largohemi”, tha një protestues.

Ora 20:00
Deputeti Ardit Bido futet mes protestueve para Parlamentit, qytetarët e përzënë, ndërhyn policia
Ndryshe nga pjesa tjetër e deputetëve socialistë, Ardit Bido nuk synoi të largohej menjëherë nga Kuvendi pas seancës plenare, ku qindra protestues u mblodhën me thirrjet për dorëheqjen e kryeminisrit Edi Rama.

Bido tentoi të takohej me protestuesit për "t'i përshëndetur", po këta të fundit nuk e pritën mirë deputetin socialist. Mes palëve pati edhe shtyrje, situatë që kërkoi ndërhyrjen e policisë.

 

 

Ora 19:48
Protestuesit ndalojnë te selia e PD-së gjatë marshimit, përplasje verbale mes qytetarëve: Rama në burg, Berisha në burg

 

Pasi marshuan te parlamentit, protestuesit kanë ndaluar para selisë së PD. 

Ndërkohë një incident u shënua teksa ata kishin ndalur para PD. Situata u tensionua pranë selisë së PD-së, ku anëtarë dhe mbështetës të kësaj partie iu kundërpërgjigjën protestuesve.

Për disa minuta pati shkëmbime verbale mes palëve, ndërsa protestuesit vijuan thirrjet kundër dy liderëve kryesorë politikë në vend. 'Rama në burg, Berisha në burg', dëgjohen të thonë ata.

Ora 19:41
Protestuesit më afër se kurrë, deputetët e PS lënë ambientet e Parlamentit pas seancës

Deputetët e mazhorancës panë për herë të parë nga afër një prej protestave që zhvillohen prej 19 ditësh në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, si dhe kundër qeverisë.

Protestuesit u mblodhën para Parlamentit ndërkohë që brenda godinës socialistët votonin rendin e ditës së seancës plenare. Në përfundim të saj, ligjvënësit u përitën jashtë me thirrjet hajdutë dhe tradhtarë, ndërsa lanë ambientet e Kuvendit pa asnjë incident.