“Injorantë, delirantë, sharlatanë, që shkojnë me demek për të mbrojtur mjedisin dhe flasin për Shqipërinë e shqiptarëve". Nga Elbasani, ku mori pjesë në aktivitetin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste në këtë qark, Kryeministri Rama ishte shumë i ashpër me protestën para zyrës së tij, prej më shumë se një jave.

Thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve” e konsideroi raciste dhe që nxin imazhin e vendit, sidomos atë emër që shqiptarët krijuan me shpëtimin e hebrenjve në luftën e dytë botërore.

“Shqipëria e shqiptarëve?! Shqipëria është e zotit dhe e mikut dhe këtë e thotë kanuni. Të kujton atë gjermania është e gjermanëve. Ajo është raciste, është verbëri, thikë pas shpinë për të gjithë ata që Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë pas luftës së dytë botëroirë. Kush flet sot për këtë pështyn mbi varrin e tyre”, tha Rama.

Duke iu drejtuar 'ambientalistëve' që shqetësohen për Flamingot, kryeministri theksoi se para se PS të vinte në pushtet në 2013, këto shpendë vriteshin me çifte për qejf nga ata që Rama i quajti 'horra'.

Rama nuk i kurseu akuzat edhe për blogerët e influencerët që hedhin akuza ndaj qeverisë për korrupsion, teksa tha se këta persona marrin para nga shqiptarët për të nxjerrë në fotografi pjesë të trupit të tyre dhe sipas kryeministrit, nuk i paguajnë asnjë taksë shtetit shqiptar. Duke hequr një paralelizëm, Rama tha se kur ishte i ri i tregonte pjesët intime të trupit të tij, pa marrë asnjë lek.

“Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti. Nëse flamingot do të kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që... Edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e PS. Ne nuk jemi tradhtarët. Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë”, tha mes të tjerash Rama.

Përgjigje i ktheu edhe analistit Mustafa Nanos, i cili kërkoi mbështeti protestat kundër qeverisë.

“Na tregojnë ne tradhtarët disa analistë e gazetarë që paguhen me lekë nën dorë, nuk deklagojnë pagat e tyre. Shkojnë atje te Green Cost bëjnë pushime në mes të betonit dhe ju qajnë hallin Flamingove. Ne nuk jemi të përsosur dhe pa gabime, por moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri atje në kolltuk dhe tha ‘nuk kam fuqi më të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. ‘Po mirë’ i thashë ‘të shohim si mund të bëjmë për këtë.’ Muçi shkoi ambasador në Zvicër, nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe një sekretare, nuk bëri dot një punë për vendin, e la në mes detyrën dhe kthehet mbrapsht dhe tregon se si duhet ta bëjmë ne detyrën dhe si duhet ta bëj unë detyrën”, tha Rama.

Kërkesës për zgjedhje të parakohshme i ktheu këtë përgjigje.

“E patë Fevziun. Kërkon zgjedhje. Me shku në zgjedhje sot, duhen tre muaj me bë një parti. Me shku në zgjedhje ne marrim 100 mandate dhe do të presim të vijë nga një zog tjetër dhe të thotë duam zgjedhjet prapë. Zogu, zgjedhjet ne i kemi fituar për ta futur Shqipërinë në Bashkimin evropian”, vijoi ai.

Në fund edhe një herë kritika për thirrjen më të shpeshtë të protestuesve “shqipëria e shqiptarëve”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
VIDEO/ Mbështetën protestat për Zvërnecin, Rama imiton blogerët dhe influencerat nga Elbasani

Kryeministri Edi Rama ka imituar sot nga Elbasani blogerët dhe influencerat që dolën në mbështetje të protestave për Zvërnecin dhe që akuzuan qeverinë për korrupsion. 

Teksa tha se blogerët marrin para për të reklamuar trupin e tyre dhe nuk i paguajnë asnjë taksë shtetit, kryeministri Rama bëri edhe një imitim të tyre, teksa ishte në podium.

Në përfundim me ironi Rama tha se ‘blogerët të kapin njëri-tjetrin, njëri të vishet si flamengo, tjetri të vishet si unë, edhe të luftojnë kush fiton’.

“Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë. Blogerat të kapin njëri-tjetrin, njëri të vishet si flamengo, tjetri të vishet si unë, edhe të luftojnë kush fiton”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:21
Rama ‘thumbon’ deputetin e PD nga Elbasani: Nëse do isha tradhtar, do isha si Alizoti (VIDEO)

Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga disa prej protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, të cilët pretendojnë se kryeministri është tradhtar i Shqipërisë.

Nga Elbasani Rama tha se nëse do të ishte tradhtar, nuk do të ishte aq i qetë. Me shaka Rama tha se tradhtarët ngjajnë me deputetin demokrat Tomor Alizoti.

“Do isha më i qetë unë po të isha tradhtar. Tradhtarët janë të qetë dhe të verdhë. Nuk kanë shkëlqim në sy. Janë si Alizoti tradhtarët. Tani krahasoni Alizotin me mua”, tha Rama.

Ora 18:41
‘Zvërneci’, Rama-Mustafa Nanos: Analistë që paguhen me para në dorë! Nuk bëri asnjë punë për vendin, la në mes detyrën si ambasador dhe më tregon mua si të bëj detyrën (VIDEO)

Nga takimi në Elbasan, ku iu përgjigj kritikëve për resortin në Zvërnec, kryeministri Edi Rama pati edhe një replikë me analistin dhe ish-ambasadorin Mustafa Nano i cili mbështeti protestat para Kryeministrisë. Rama tha se nuk pranon moral nga ata që bëjnë pushime në mes të betonit në resorte luksoze dhe më pas iu qajnë hallin flamingove, apo nga analistët që paguhen me para në dorë. 

Duke u ndalur te Nano, Rama kujtoi edhe se si ai i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar që ta bëjë ambasador, duke i thënë se nuk kishte më fuqi për t’u marrë më me këtë vend. Kryeministri tha se Nano u emërua më pas ambasador në Zvicër, por sipas tij, nuk arriti ta çonte deri në fund detyrën dhe nuk bëri dot një punë për vendin.

Kritikave për takime me oligarkë, Rama zgjedh ti përgjigjet me këtë pyetje Nanos “Ti Muç, spiun i sigurimit të shtetit je, ku e di kush futet në zyrën time?”.

“Na tregojnë ne tradhtarët disa analistë e gazetarë që paguhen me lekë nën dorë, nuk deklarojnë pagat e tyre. Shkojnë atje te Green Cost bëjnë pushime në mes të betonit dhe ju qajnë hallin Flamingove. Moral mua dhe PS të matet mirë kushdo që i bën. Ne nuk jemi të përsosur dhe pa gabime, por moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri atje në kolltuk dhe tha ‘nuk kam fuqi më të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. ‘Po mirë’ i thashë ‘të shohim si mund të bëjmë për këtë.’ Kemi pasur shkrimtarë e poetë ambasador, Muçi i shkretë nuk është Faik Konica, por thashë... Muçi shkoi ambasador në Zvicër, nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe një sekretare, nuk bëri dot një punë për vendin, e la në mes detyrën dhe kthehet mbrapsht dhe tregon se si duhet ta bëjmë ne detyrën dhe si duhet ta bëj unë detyrën. Tregon Muçi detyrën, tregon Muçi që oligarkët hyjnë mëngjes, drekë e darkë në zyrën time. Po ti mo Muç ça je, spiun i sigurimit je, ku e di ti kush hyn në zyrën time. Ku i ke parë ti, se ti ke qenë edhe demokrat denbabaden. Kur e bën Muçi këtë, llogarisni të tjerët”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:31
Rama nga Elbasani: Na tregojnë korrupsionin blogerët që mbledhin para për të treguar anët e trupit që unë i tregoja pa lek kur isha i ri! S’i japin as 1 euro taksë shtetit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar blogerët e influencerët që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës dhe që akuzojnë qeverinë për korrupsion.

Nga Elbasani, ku u festua 35-vjetori i PS-së së degës, Rama tha se blogerët marrin para për të treguar trupin e tyre dhe nuk i paguajnë shtetit asnjë taksë. Kryeministri shtoi se kur ishte i ri, pjesët e trupit të tij i tregonte pa asnjë lek.

“Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti. Nëse flamingot do të kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që... Edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e PS. Ne nuk jemi tradhtarët. Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:14
Protestat për ‘Zvërnecin’, Rama: Mos u bëni jehonë manipulimeve! Kur ne morëm detyrën flamingot vriteshin me çifte për qejf (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është shprehur se të gjithë ambientalistët që shqetësohen për flamingon në Zvërnec, duhet të kuptojnë sipas tij, se në kohën e qeverisjes së Sali Berishës këto shpendë vriteshin me çifte për qejf.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Shtëpia është e hapur për të gjithë. Shqipëria është e shqiptarëve të kujton atë sloganin e Gjermanisë Naziste. Me atë slogan ata e bënë Gjermaninë delen e zezë të botës. Ai është racizëm, verbëri dhe thikë pas shpine, për të gjithë ata që Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë në luftën e dytë botërore. Në radhë të parë myslimanët, pastaj edhe të krishterët, që u bënë shpëtimtarët e hebrenjve dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend që nuk u dorëzua asnjë hebre. Ndërkohë që në gjithë Europën i merrnin hebrenjtë dhe i shisnin nga frika, ndërkohë që në Shqipëri vunë veten në rrezik, për të mbrojtur hebrenjtë. Në një kohë që kombi shqiptar është në një moment po aq historik sa Lidhja e Prizrenit, siç është futja në BE, këto janë marrëzira që shkojnë në drejtim të gabuar me sensin e historisë.

Nëse ti je i shqetësuar për flamingot dhe natyrën, ti je i pari që duhet t’i bësh jehonë të vërtetave, jo manipulimeve. Ti duhet të jesh i pari që duhet të verifikosh të vërtetën mbi bazën e fakteve dhe jo të thuash duam dorëheqjen. Çfarë dorëheqje? Dorëheqjen nga misioni i PS për të anëtarësuar Shqipërinë në BE? Kush do shkojë ta përfaqësojë Shqipërinë atje për të negociuar me BE? Kush do i dalë për zot Shqipërisë? Ata që mendojnë se mjafton të vishesh si flamingo dhe je seksi dhe do të vijnë të tjerët nga pas? Ne nuk jemi tradhtarë, por shpëtimtarë të një vendi ku flamengon vriteshin me çifte për qejf”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:01
‘Zvërneci’/ Kryeministri Rama: Projekti 4 miliardë dollarë është investimi më i madh për turizmin në Europë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, teksa ka folur nga Elbasani për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, ka theksuar se ai resort që pritet të ndërtohet atje, do të jetë motorr për gjithë ekonominë shqiptare.

“Shikoni Greqinë se çfarë ka bërë me turizmin dhe shikoni edhe Malin e Zi në veri, sesa shumë kanë fituar me turizmin. Mali i Zi është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për pensione, për paga dhe mirëqenie. Është një vend që nuk ka industri dhe bujqësi. Si ka mundësi që ka të ardhura për frymë më të larta edhe se vetë Serbia? Vetëm për një arsye, sepse Mali i Zi ka bërë atë që sot na ka ardhur radha ta bëjmë ne dhe që kanë dalë në protestë ata atje. Dhe për këtë është bërë gjithë kjo çorbë, duke ngatërruar mbrojtjen e natyrës me lloj lloj axhendash të tjera. Nëse ai projekt në Malin e Zi do të ishte bërë këtu, ku edhe ishte në fillim, sepse këtu i mbyllën derën atij investitorit kanadez, më saktë i kërkuan pjesën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte bërë ky që është sot. Ata që thonë ‘ne nuk na duhet turizmi i luksit’, ata nuk e dinë se ato resorte dhe hotele janë motor të ekonomisë së tyre. Sepse ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ato resorte janë arsyeja që shteti merr më shumë taksa. Ai Porto Montenegro në Tivat, u vendos në një zonë që ishte zona më e prapambetur në Malin e Zi. Sot Tivati pret 5 milionë turistë në vit. Projekti që po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde, është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Europë prej shumë vitesh. Ne ta bëjmë si lopa, që e mbysh kupën dhe pastaj i bie me shkelm në fund?”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 17:50
Rama nga Elbasani: Jemi më pranë se kurrë integrimit në BE, kemi mundësinë që ta ngremë Shqipërinë me duart tona dhe ta vendosim atje ku e donin rilindasit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij është shprehur se sot Shqipëria është më pranë se kurrë integrimit në BE. Rama u bëri thirrje shqiptarëve që ta mbështesin Partinë Socialiste, për të mos humbur sipas tij ‘trenin e historisë’.

“Kemi humbur disa herë trenin e historisë dhe kemi mbetur jo në stacion, por në buzë humnerash të rrezikshme. Sot jemi më afër se kurrë realizimit të një ëndrre shekullore të shqiptarëve. BE nuk ekzistonte kur rilindasit tanë donin ta drejtonin vështrimin e popullit nga Europa, por Naim Frashëri e la të shkruar amanetin e tij për të gjithë brezat më pas. Amanet që sot është në duart tonë. Sot ne kemi në duart tona mundësinë e madhe që ta ngremë Shqipërinë në krah dhe ta vendosim në atë majë ku e donin rilindasit. Siç thotë Naimi, dielli lind ku perëndon”, tha mes të tjerash Rama.