Kryeministri Edi Rama është i bindur se burimi i protestave kundër resortit në Zvërnec është një luftë hibride e nxitur nga jashtë, që synon të pengojë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por ai tha se nuk do t’ia heqë Shqipërisë qafe me vetëdije këtë projekt. Kërkesave nga protestues për dorëheqjen e tij, Rama iu përgjigj duke u kujtuar se ai e ka kontratën me 800 mijë shqiptarët që e votuan për mandatin e tij të katërt qeverisës.

***

Në dy postime radhazi gjatë ditës në rrjetet sociale kryeministri Rama, qartazi i mëshoi idesë se forca apo segmente të caktuara nga jashtë po ushqejnë përmes rrjeteve sociale, protestat disa ditore poshtë zyrës së tij, kundër një investimi disa miliarda eurosh, për resortin turistik në Zvërnec.

Lufta hibride që këtë herë po përdoret, sipas tij, dhe në Shqipëri, nuk është diçka e panjohur, as në Europë apo vende të tjera, tha kryeministri, ndërsa disa herë citoi ekstremistët grekë të Agimit të Artë.

“Organizojnë dhe nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre, duke përdorur në radhë të parë, çështjet e ambientit, sepse tek çështjet e ambientit ka sensibilitet shumë të madh dhe tek çështjet e ambientit ndodh pikërisht ajo gjëja që bashkohen vëllezërit e ‘’Agimit të Artë’’, që orkestrohen nga ‘’ustallarë’’ si ata të ‘’Agimit të Artë’, në emër të Shqipërisë së shqiptarëve, me shqiptarë, vajza, djem , të reja e të rinj, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës të cilët ndihen të lënduar”, tha Rama.

Kryeministri megjithatë u shfaq i qetë se “kjo luftë do mbarojë dhe që gjithkush do të marrë atë që i takon dhe mbi të gjitha që Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që ju takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet por natyrisht edhe në aspektin kryesor që është ekonomia”, tha Rama.

Që prej të dielës, përballë godinës së qeverisë po zhvillohen protesta të përditshme, ku ftesa e një dite më parë e kryeministrit për dialog u refuzua

“S’kam kërkuar të bisedoj me asnjë ata që janë të kurdisur dhe të çartur. Kam kërkuar të bisedoj me ata që kanë votuar për mua, disa më kanë shkruar, me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë se ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër”, vijoi Rama.

Ai e priti me një buzëqeshje ironike pyetjen e gazetarëve për kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e tij

"Dorëheqjen e kujt?", tha Rama. 

Ndërsa më pas, përgjigjen ndaj protestuesve e kishte të prerë.

“Asgjë nuk më lëviz mua nga istikami, ku më kanë vendosur shqiptarët dhe kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos e harrojë që unë përfaqësoj dhe mishëroj vullnetin e të paktën mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta”, vijoi Rama. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
'Vijnë nëpër rrugë si çakejtë e Agimit të Artë', Rama për protestat për Zvërnecin: S’bisedoj me ata që janë të kurdisur, vetëm me ata që më kanë votuar

 

Kryeministri Edi Rama komenton pa mbledhjes së qeverisë protestat për Zvërbnecin që prej 3 ditësh janë zhvilluar në Tiranë. Rama tha se s’ka dorëheqje, duke theksuar se nuk ka kërkuar të bisedojë me ata që janë kurdisur, sipas tij nga jashtë, përfshirë këtu edhe Greqinë. Shefi i qeverisë thotë se në diskutime futet vetëm me ata që e kanë votuar. Për ata që ulërijnë si çakejtë e Agimit të Artë dhe vijnë poshtë kryeministrisë me “librin e shtëpisë”, Rama tha se janë vetëm objekt i Zotit.

Rama: Dorëheqjen e kujt?

Gazetarja: Tuajën

Rama: Kam një përgjigje. T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër, se tanimë këtu nuk ka asgjë të re. S’kam kërkuar të bisedoj me asnjë ata që janë të kurdisur dhe të çartur. Kam kërkuar të bisedoj me ata që kanë votuar për mua, disa më kanë shkruar, me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë se ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër. Ai film duhet t’iu tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga istikami ku më kanë vendosur shqiptarët. Kush flet në emër të shqiptarëve, duhet të mos e harrojë që unë mishëroj vullnetin e 800 mijë shqiptarëve. Kush flet në emër të ndjenjave të vërteta për çfarë mund të ndodhë me mjedisin, si mund të mbrohet apo rrezikohet është i mirëseardhur të bisedojë me mua dhe me ne. Ata që vijën me librin e shtëpisë sime poshtë dritares dhe vijën vërdallë nëpër rrugë si çakejtë e Agimit të Artë që ulërinin 'Greqia është e grekëve', ata janë subjekt vetëm për zotin.

P.J/K.B/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?