Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, është shprehur se protestat që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, kanë shumë paqartësi dhe ende nuk dihet se kush qëndron në krye të tyre.

Komentet Spaho i bëri në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se duket e çuditshme që shqiptarët u ngritën në protesta për mbrojtjen e mjedisit, në një kohë kur sipas tij, Shqipëria është ‘e qelbur në të katër anët’.

Ai tha gjithashtu se që protestuesit të realizojnë ndryshimet që pretendojnë në Shqipëri, duhet të bëhen pjesë e sistemit politik, të identifikohen me program dhe me njerëz.

Spaho shtoi gjithashtu se nëse protestuesit (përfaqësuesit e tyre) do të duan të hyjnë në sistemin politik, do të hyjnë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës.

“Kemi hyrë në atë pjesën e rutinës së protestës. Po kthehet në rutinë, me të njëjtat veprime, me të njëjtat parulla, me të njëjtat paqartësi. Ende nuk dimë se cilët janë në krye të protestës. Filloi si protestë për mjedisin, për Zvërnecin, që mjedisi është gjëja e fundit që preukupon shqiptarët. Por çuditërisht këtë radhë u bë problem ekzistencial. Se po të shohësh Shqipërinë është e qelbur nga të katër anët me ndotje. Ne çojmë ndotje deri në Kroaci dhe Slloveni përmes grykëderdhjeve të lumenjve. Dhe askush nuk kujtohet apo ta vërë ujin në zjarr që janë çështje që duhen adresuar.

Megjithatë e supozojmë se njerëzit u ngritën për mjedisin. Por protesta nuk mbahet dot vetëm me një çështje të tillë dhe s’mund të kërkosh rrëzimin e qeverisë, vetëm se do të zhvillohet një investim në Zvërnec. Kështu që u kalua në kërkesa politike, për një Shqipëri të re, për një sistem të ri politik, etj. Por edhe këtu kemi arritur në një ngërç, sepse të kërkosh Shqipëri të re, duhet të jesh pjesë e sistemit politik, duhet të jesh parti politike, opozitë e re. Duhet të identifikohesh me program, me njerëz, me të gjitha bashkë. Dhe të mos harrojmë se në sistemin politik ke për të hyrë me zgjedhje, jo me dhunë”, tha mes të tjerash Spaho.

Më tej Spaho shtoi se në këtë fazë, protesta ose do të shkojë drejt shuarjes, ose drejt konfrontimit fizik.

Ai shtoi se në protestë ka ndikim të elementëve të huaj dhe kjo sipas Spahos është e dukshme.

Një prej interesave të organizatorëve të protestës dhe të rrymave të huaja, sipas Spahos është që në Shqipëri të mos kryhen investime të niveleve të tilla, si ai në Zvërnec.

“Në këtë fazë që ndodhemi, protesta ose do të shkojë drejt shuarjes, ose drejt konfrontimit fizik. Unë mendoj se dy tentativa janë bërë. Ajo e Rinasit, për të bllokuar aeroportin, por edhe dje protesta para Parlamentit mu duk si një tentativë për të provuar se deri ku mund të shkojmë. Sepse unë mendoj se organizatorët e protestës i kanë disa objektiva që nuk përputhen shumë me ato të qytetarëve të thjeshtë që marrin pjesë në protestë. Dhe këtë axhendë të tyre nuk presin ta realizojnë përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. Ata kërkojnë të heqin Ramën dhe të mos ndërtohet resorti në Shqipëri, që është i niveleve të tilla.

Një takëm tjetër ka për qëllim destabilizimin e vendit, që të mos anëtarësohet Shqipëria në BE. Patjetër që ka duar nga jashtë, sepse ne nuk jemi kaq naiv. Ne kemi parë sesi është zhvilluar jeta politike në Shqipëri dhe protestat. Edhe kur ka pasur protesta për çështje jetësore, as nuk e ka vënë ujin në zjarr njeri nga ndërkombëtarët. Këtu ka një organizim, askush s’e mohon dot këtë. Dua të theksoj një gjë, në Shqipëri ka arsye pa fund për të protestuar dhe kjo qeveri duhet të kishte ikur. Por shoh që forca të caktuara po përpiqen të realizojnë një axhendë të caktuar. Ku gjen islamistë politikë, neomarksistë, anti-Trumpist dhe interesa zonale që nuk duan që Shqipëria të ketë investime të kësaj natyre”, shtoi Spaho.

Në vijim Spaho komentoi edhe qëndrimin e kryedemokratit Sali Berisha dhe PD-së për këto protesta që po zhvillohen. Spaho tha se PD po vepron si një rraqe e vjetër e politikës, që ka për qëllim të ‘kapë’ protestën dhe ta vendosë nën ombrellën e saj.

Duke komentuar ‘lirimin’ nga SHBA të vizës për Sali Berishën, Spaho tha se kryedemokrati mbetet sërish ‘non grata’. Ai shtoi se Berisha s’ka për të qenë pjesë e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë.

“PD po vepron si një rraqe e politikës së vjetër. E pazonja të mobilizojë qytetarët. E vetmja gjë që bën PD janë ato sherrnajat dhe përpiqet për mbijetesë politike. Ka një rrezik potencial që nga kjo lëvizje mund të krijohet një forcë opozitare, që mund të marrë flamurin e opozitës. PD po përpiqet ta fusë në ombrellën e saj këtë lëvizje. Mos prisni që Berisha të jetë pjesë e festimeve të tilla si 250 vjetori i krijimit të shtetit amerikan. Raportet me shtetin amerikan për të nuk kanë ndryshuar, pavarësisht lehtësimit që ju bë”, përfundoi Spaho.