Zvicër, homazhe për Vaçen: "Muzikës
shqiptare do i mungojë mbretëresha"

Zvicër, homazhe për Vaçen: "Muzikës<br />shqiptare do i mungojë mbretëresha"
BAZEL - Në kujtim të së madhes Vaçe Zela, në Bazel u mbajtën homazhe me rastin e ndarjes së saj nga jeta. Homazhet u organizuan të dielën (16 mars 2014). Pas kthimit nga Shqipëria në Zvicër, shumë adhurues të këngës dhe personalitetit të Vaçe Zelës dëshironin që ta vizitonin familjen e saj për ngushëllime e ta nderonin artisten e madhe duke ndarë dhimbjen me ta.
 
Për këtë arsye bashkëshorti i saj Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma, vendosën që të caktojnë një ditë kur secili do të kishte mundësi në t`i bënte homazh artistes së madhe.
 
Meqë Vaçe Zela 20 vitet e fundit të jetës së saj i kaloi në Bazel, prania e saj kishte lënë gjurmë të pashlyeshme te shqiptarët me banim në Bazel dhe më gjerë. Ajo me zemërgjerësinë e madhështinë e saj si dhe familja e saj e respektuar, krijuan rreth të gjerë shoqërie në qytetin e Bazelit.
 
Skënder Nikoliçi dhe Nazmi Jakurti me familje, ishin ndër ata që kishin nderin të ishin miq të familjes së Vaçe Zelës për më shumë se 15 vite dhe me ndihmën e tyre u organizua edhe ky takim.
 
Homazhi ishte organizuar me përkushtim të veçantë dhe enkas për këtë rast ishte përgatitur një program artistik Tërë kohën në sfond dëgjoheshin tingujt e këngëve të Vaçe Zelës, këngë të kompozuara nga kompozitorë të mëdhenj shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia, Kujtim Laro etj. Në hyrje të sallës ishte vendosur një libër i kujtimeve , ku secili kishte mundësinë t`i shkruante mbresat dhe kujtimet veta për artisten e madhe.

vace zela, homazhe
(Në foto: Gjatë homazheve në Bazel) Foto të tjera
 
Homazhi u hap nga bashkëshorti i Vaçe Zelës i cili i i falënderoi të pranishmit dhe të gjithëve u shfaqi mirënjohjen e tij për ndarjen e dhimbjes me familjen.
 
Me këtë rast ishte përgatitur edhe një recital. U recituan poezi të rapsodit Agim Gashi nga Lipjani e me banim në Gjermani, i cili i kishte kushtuar poezi Vaçe Zelës, pastaj poezi të Gjevahir Cirongut etj.
 
Në vazhdim të pranishmit kishin rast të përcillnin një film dokumentar të realizuar në Shqipëri me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës dhe ceremonisë së varrimit të saj, me titull: “Homazh për Artisten e Popullit, Vaçe Zela”.
 
“Muzikës shqiptare do t`i mungojë mbretëresha e saj”. Me këtë thënie të Agim Doçit, të pranishmëve iu dha rasti që të thoshin disa fjalë për Vaçe Zelën. Ishin të shumtë ata të cilët me fjalë të zgjedhura folën për përshtypjet e tyre për artisten e madhe të këngës shqipe.
 
Këtë rast shfrytëzuan të gjithë, si ata nga Shqipëria ashtu dhe ata nga Kosova që të thonë se Vaçe Zela vetëm përkohësisht shkoi nga kjo botë sepse vepra, emri i saj dhe kënga e saj nuk do vdesin kurrë. Ajo u vlerësua si personalitet e cila me këngën e saj theu kufijtë e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, ua lehtësoi të gjithëve dhimbjen e i bashkoi të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare dhe më gjerë kudo në botë.
 
Fjalën e morë edhe Ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni, ai i Kosovës, Naim Malaj, meshtari don Marian Marku, mjeku i Vaçe Zelës, Sefedin Haxholli etj. Në fund, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi edhe vajza e Vaçe Zelës, Irma.
 
 
Marrw nga gazeta albinfo.ch
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat, Qeveria miraton ndryshimet në 'Urdhrin e Mjekut'

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat, Qeveria miraton ndryshimet në 'Urdhrin e Mjekut'