GJENEVË, 14 tetor /ATSH-AFP/ - Një komision ndërkombëtar humanitar, i krijuar enkas për të analizuar faktet dhe të hetojë shkeljen e mundshme të së drejtës ndërkombëtare, ka propozuar me një letër drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Afganistanit për kryerjen e hetimeve rreth sulmit ajror amerikan ndaj spitalit të MSF-së në Kunduz, bëhet sot e ditur nga CIHEF, me seli në Bernë.
"Ne u kemi dërguar letër zyrtare të dyja palëve por nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje", deklaroi Thilo Marauhn, zëvendëspresident i këtij komisioni.
Referuar "Mjekëve pa Kufij", kjo formë shkëmbim informacioni është etapa e parë e domosdoshme për të mundësuar nisjen e një hetimi të pavarur në lidhje me sulmin e 3 tetorit i cili shkaktoi rreth 24 të vdekur, sipas një bilanci të fundit.
"Na janë përcjellë faljet dhe ngushëllimet po nuk është e mjaftueshme. Nuk kemi marrë ende asnjë sqarim përsa i përket arsyeve në të cilat një spital mjaft i njohur dhe i mbushur me pacientë dhe personel mjekësor është bombarduar në mënyrë të përsëritur për më shumë se një orë rresht", theksoi më tej Joanne Liu, presidente e MSF-së./