ZVICER- Rreth 72 kilogramë amfetaminë janë sekuestruar në Zyrih gjatë një operacioni të policisë, që çoi në arrestimin e 7 personave. Ky është konfiskimi më i madh i drogës në Zvicër, e cila shitet kryesisht tek të rinjtë.

Sipas policisë, shitja e mallit të konfiskuar në tregun e zi, kap një vlerë mbi 1.5 milionë franga zviceranë.

Të dyshuarit kryesorë si posedues të drogësn, janë një 36-vjeçar nga Kosova, dhe një 39-vjeçar zviceran, të cilët janë arrestuar. Të dy këta persona kanë furnizuar një 36-vjeçar zviceran, i cili organizonte shitjen, me të paktën 72 kilogramë drogë, që nga viti 2009 e deri në 2013.

Në prangat e policisë kanë përfunduar edhe katër tregtarët e tjerë zvicanë të cilët bënin shpërndarjen. Në mesin e drogave të konfiskuara janë edhe 1300 doza ekstazi, 200 gramë MDMA dhe një kilogramë marijuanë.

Sipas policisë zvicerane, operacioni u parapri nga hetime të gjata dhe ka filluar marsin e kaluar, kur gjatë një kontrolli u gjetën 42 kilogramë amfetaminë. Një nga të dyshuarit kryesorë u arrestua një ditë më vonë në aeroportin e Zyrihut, pasi u kthye nga Hollanda, në shoqërinë e një 43-vjeçari zviceran, të cilët fshihnin 30 kilogramë drogë në valixhe.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)