Drejtori i një fabrike në Zvicër është rrahur për vdekje me goditje karateje, nga një shqiptar i Kosovës, 21-vjeçar.  
 
Mediat zvicerane e kanë identifikuar fillimisht si “një i ri me prejardhje të huaj”, ndërsa më pas si një “zviceran me prejardhje kosovare”. I riu shqiptar akuzohet për vrasjen e Fabrizio C, 44-vjeç, drejtor i një fabrike orësh.
 
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të shtunës, rreth orës 4.30. Dy persona kanë qëndruar  në hyrjen e garazhit nëntokësor para klubit të natës “La Rotonda”.
 
I riu shqiptar goditi zviceranin me një goditje karateje dhe e ka rrëzuar përdhe, ku ai mbeti pa shenja jete. I riu pastaj e la viktimën dhe nisi të largohet gjakftohtë nga vendi i ngjarjes.
 
Por atë e ka parë njëri nga personat e sigurimit të lokalit, i cili e kapur dhe e ka mbajtur kosovarin deri sa të vinte policia. Ndërkohë autoambulanca e dërgoi të lënduarin rëndë në spitalin e Luganos. Por babai i dy fëmijëve (8 dhe 9 vjeç) vdiq pas pak nga pasojat e lëndimit.
 
Hetimet janë drejtuar ndaj Alexander M. i cili fajësohet për goditje vdekjeprurëse. Por përse ai e ka sulmuar drejtorin e fabrikës së orëve nga Stabio, është ende e paqartë. Por, personi i fajësuar, në facebook prezantohet si një maço, brutal, muskuloz, me vetura të shpejta.
 
Komuna dhe rrethi i miqve të Fabrizios janë tmerruar nga ngjarja e ndodhur. Edhe politikani i partisë Lega, Norman Gobbi, i cili është drejtor për siguri në kanton,  është i pikëlluar për 44 vjeçarin, me të cilin ka qenë së bashku në shërbimin ushtarak.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com