DURRËS - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, nga inaugurimi i zyrave të reja të shërbimit për qytetarët në Policinë e Durrësit, tha se përmes këtij shërbimi shmanget korrupsioni ndërsa qytetarët vihen në komunikim të drejtpërdrejt me oficerët duke i dhënë fund pritjes në radhë. 

“Kjo zyrë është e 16-ta, e këtij lloji e hapur që prej nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri. Pranë saj qytetarët mund të marrin 45 lloj shërbimesh administrative, të ofruara nga punonjës civilë. Gjithashtu, zyra është e hapur 24 orë në 24, në çdo ditë të javës, në mënyrë që qytetari të këtë mundësinë të denoncojë veprat penale, në çdo kohë. Risitë e këtyre zyrave shkojnë përtej rikonstruksionit dhe heqjes së barrierave e hapjes së dyerve për qytetarët. Ky shërbim është efiçient, sepse përdor teknologjinë dhe përdor modelin “one stop shop”; lufton korrupsionin, sepse minimizohet kontakti i drejtpërdrejtë që krijonte praktika abuzive, si dhe u sjell qytetarëve shërbimin më pranë, sepse kjo është policia që duam”, tha Tahiri.

Në qytetin e Durrësit pritet të realizohet edhe instalimi i kamerave të sigurisë, gjë që ndihmon shumë punën e efektivave policore në parandalimin e krimit dhe zbulimin e autorëve të akteve kriminale. 

Zyra e hapur pranë drejtorisë së policisë së Durrësit është e 16-ta që hapet në rang vendi që prej nëntorit të vitit të kaluar. Pranë këtyre zyrave qytetarët mund të marrin 45 lloj shërbimesh administrative të koduara nga punonjës civilë, shumica e të cilëve janë gra.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)