Emiratet e Bashkuara Arabe - Një kapitull i ri nis për Andres Iniestën. Legjenda e Barcelonës dhe e kombëtares spanjolle ka hedhur hapat e parë në karrierën si trajner, duke marrë drejtimin e Gulf United FC, klub që militon në divizionin e dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Iniesta ka zgjedhur Dubain për të ndërtuar të ardhmen e tij në pankinë. Ish-mesfushori spanjoll ka përfunduar licencën A të trajnerit dhe aktualisht po punon për të siguruar licencën Pro, ndërsa sfida e parë do të jetë drejtimi i një skuadre të njohur për zhvillimin e talenteve të reja.
I konsideruar si një nga mesfushorët më të mëdhenj në historinë e futbollit, Iniesta mbetet i paharrueshëm për golin vendimtar në finalen e Kupës së Botës 2010 kundër Holandës, si dhe për triumfet në Kampionatin Evropian të viteve 2008 dhe 2012 me Spanjën.
Produkt i akademisë së famshme 'La Masia', ai shkroi historinë me Barcelonën, duke fituar katër trofe të Champions League dhe nëntë tituj të La Ligës. Më pas vazhdoi karrierën në Japoni me Vissel Kobe dhe më vonë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Gulf United FC duket vendi ideal për të nisur këtë kapitull të ri. Futbolli më ka dhënë gjithçka dhe tani dua të kontribuoj përmes stërvitjes dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj. Dua të rritem si trajner dhe të fitoj përvojë reale në këtë profesion”, deklaroi Iniesta.
Klubi i themeluar në vitin 2019 ka fituar reputacion për investimin te të rinjtë dhe përbëhet nga një grup lojtarësh me kombësi të ndryshme. Akademia e tij numëron mbi 600 futbollistë nga më shumë se 80 vende të botës.
Emërimi i Iniestës ka ngjallur entuziazëm te tifozët e Barcelonës, të cilët shpresojnë se ish-kapiteni mund të ndjekë një rrugëtim të ngjashëm me atë të Xavit, duke nisur karrierën në Lindjen e Mesme për të synuar një ditë stolin e klubit katalanas.
Komente








