LONDËR - Chelsea ka konfirmuar emërimin e ish-trajnerit të Real Madridit dhe Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, si trajner të ri. Spanjolli do ta fillojë punën e tij më 1 korrik 2026, pasi ka rënë dakord për një kontratë katër vjeçare në 'Stamford Bridge'.

44-vjeçari u shkarkua në janar nga Real Madridi pas vetëm gjysmë sezoni në 'Bernabeu', teksa vinte nga mrekullia me Bayer Leverkusen ku fitoi edhe titullin e Bundesligës në Gjermani.

“Chelsea është një nga klubet më të mëdha në futbollin botëror dhe më mbush me krenari të madhe që u bëra trajner i këtij klubi të madh”, tha Alonso në një deklaratë. "Nga bisedat e mia me grupin e pronarëve dhe udhëheqjen sportive, është e qartë se ndajmë të njëjtën ambicie. Duam të ndërtojmë një ekip të aftë për të garuar vazhdimisht në nivelin më të lartë dhe për të luftuar për trofe", tha trajneri për faqen zyrtare të klubit.

Edhe pse shihej si zëvendësuesi i Arne Slot te Liverpooli, klub ku luajti për shumë vite si futbollit, Alonso është prezantuar në Londër me synimin e qartë për të ringritur një klub që këtë sezon po tenton të sigurojë një vend në Conference League dhe që dje u mposht nga Man. City në finalen e FA Cup.