Endrick Felipe Moreira de Sousa do ta vazhdojë sezonin larg 'Bernabeut'. Sulmuesi brazilian është huazuar zyrtarisht te Lyoni nga Real Madridi deri në fund të sezonit, në kërkim të më shumë minutave dhe vazhdimësisë në fushë.
Talenti i lindur në vitin 2006 iu bashkua Real Madridit në korrik të vitit 2024, pas transferimit nga Palmeiras, por nën drejtimin fillimisht të Carlo Ancelottit dhe më pas të Xabi Alonsos, nuk arriti të gjejë hapësirat e nevojshme për të shfaqur potencialin që bindi “Galaktikët” ta afronin. Huazimi te klubi francez shihet si një mundësi ideale për rritjen e tij profesionale.
Në njoftimin zyrtar, Lyoni vlerësoi profilin e lojtarit. “Në moshën 19-vjeçare, Endrick i bashkohet OL me një përvojë të rëndësishme në nivelin më të lartë dhe me një pjekuri të zhvilluar në mjedise sportive kërkuese. Profili i tij ofensiv, ndikimi në zonat kyçe të fushës dhe energjia e tij janë asete të rëndësishme për ekipin në gjysmën e dytë të sezonit, ku objektivat janë të shumta”.
Klubi francez konfirmon gjithashtu se Endrick do t’i bashkohet ekipit më 29 dhjetor për fillimin e kampit stërvitor me ekipin e parë, ndërsa falenderon Real Madridin për bashkëpunimin dhe korrektësinë në negociata.
Tani, nën drejtimin e Paulo Fonsecas, Endrick synon të rilindë dhe të tregojë vlerat e tij në Ligue 1.
Komente





