Vetëm dy muaj zgjati aventura e trajnerit Alfred Allamani në krye të Kukësit. Klubi i Kategorisë së Parë bën me dije se 41-vjeçari ka paraqitur dorëheqjen. Megjithëse te verilindorët ia faturojnë këtë largim "motiveve familjare", fakt është se humbja 1-0 këtë të shtunë me Vorën e lë Kukësin në tre skuadrat e renditura në fund të klasifikimit.
Bashkë me trajnerin largohet edhe ndihmësi i tij, Vilfor Hysa, teksa ekipin për momentin do e drejtojë drejtori sportiv, Asuel Dervishaj.
"Futboll Klub Kukësi njofton se trajneri Alfred Allamani ka paraqitur dorëheqjen ditën e sotme, duke mbyllur bashkëpunimin me skuadrën tonë. Pavarësisht se trajneri kishte besimin e stafit drejtues, motivet familjare kanë bërë që Allamani të largohet nga drejtimi i skuadrës.
Klubi i Kukësi falënderon Allamanin dhe asistentin Vilfor Hysa për kontributin e dhënë dhe ju uron suksese në në të ardhmen. Drejtori Sportiv, Asuel Dervishaj do të mbajë rolin e trajnerit të përkohshëm, deri në prezantimin e stafit të ri teknik", njofton Kukësi.
Allamani zëvendësoi të larguarin Emiljano Çela në datën 4 janar të këtij viti, por ai mundi të drejtojë ekipin vetëm në shtatë ndeshje. Dy fitore (një në Kupë) dhe pesë humbje për të në krye të Kukësit.
Njoftimi i FK Kukësit
Komente

