ANGLI - Manchester United ka zyrtarizuar emërimin e Michael Carrick si trajner të skuadrës së parë deri në fund të sezonit 2025-26. Ish-mesfushori i “Djajve të Kuq” rikthehet kështu në “Old Trafford” në rolin e trajnerit.

Carrick ka një histori të pasur si lojtar i United, me 464 paraqitje dhe një koleksion trofesh që përfshin pesë tituj të Premier League, FA Cup, dy League Cup, Ligën e Kampionëve, Ligën e Europës dhe Kupën e Botës për Klube.

Pas pensionimit më 2018, 42-vjeçari u bashkua me stafin teknik të skuadrës duke punuar nën drejtimin e Jose Mourinhos dhe më pas Ole Gunnar Solskjaer. Në periudhën e shkurtër si trajner i përkohshëm pas largimit të Solskjaer, ai u vlerësua për profesionalizmin dhe qetësinë e tij.

Më vonë, Carrick mori drejtimin e Middlesbrough në tetor 2022, ku qëndroi për rreth dy vite e gjysmë përpara se të kthehej te United në rolin aktual.

Në fjalët e para si trajner i Manchester United, ai u shpreh:

“Është një nder i madh të kem përgjegjësinë për të drejtuar Manchester United. E di çfarë kërkohet për të pasur sukses këtu dhe fokusi im është të ndihmoj lojtarët të arrijnë standardet që ky klub kërkon. Ky sezon ka ende shumë për të luftuar dhe ne jemi gati t’i japim tifozëve performancat që ata meritojnë.”

Steve Holland, Jonathan Woodgate, Jonny Evans dhe Travis Binnion janë të gjithë pjesë e stafit të Carrick. Darren Fletcher zgjodhi të rikthehej te skuadra U-18 pasi e drejtoi ekipin për një takim.