Ashtu siç raportoi ekskluzivisht Shqiptarja.com një ditë më parë, Vllaznia ka emëruar trajner të ri Qatip Osmanin. Ka qenë vetë Klubi Sportiv sot që ka bërë të ditur për sportadashësit emrin e ri të drejtuesit të skuadrës.
‘Klubi i Futbollit Vllaznia dëshiron të informojë opinionin publik se trajneri i ri i ekipit të parë të Vllaznisë do të jetë z. Qatip Osmani. Ai vjen te skuadra jonë pas një karriere të suksesshme tek Shkêndija e Tetovës me të cilën ka fituar 5 trofe. Bashkë me të, në stafin e Vllaznisê do të jetë edhe z. Bashkim Ljivoreka që do të ketë detyrën e zëvendêstrajnerit. Mirë se erdhët në familjen kuqeblu profesor Qatipi dhe Bashkimi!’- shkruan klubi i Futbollit.
Kujtojmë se vetëm dhjetë javë zgjati aventura e Migen Memellit në krye të Vllaznisë. Klubi shkodran njoftoi zyrtarisht se për shkak të mungesës së rezultateve, palët kanë gjetur akordin dhe kanë ndarë rrugët. Kështu 43-vjeçari nga Pogradeci u bë trajneri i shtatë në dhjetë ekipet e Superligës që shkarkohet pas dhjetë javësh kampionat.