Bayern Munich ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen me klubin e Granadas për sulmuesin e talentuar spanjoll, Bryan Zaragoza. Bavarezët kanë vepruar shpejt për të fituar shërbimet e yllit të La Ligas dhe Spanjës, i cili ka shënuar pesë gola dhe dy asistime në 14 ndeshje në elitën spanjolle këtë sezon.

Gjigantët e Bundesligës kanë konfirmuar se lojtari ka firmosur një kontratë pesë vjeçare dhe do t’i bashkohet klubit vetëm në sezonin e ardhshëm, duke qëndruar për pesë muaj te Granada.

“Bryan Zaragoza do t’i bashkohet FC Bayern nga Granada për sezonin 2024-25 pasi kampionët e Bundesligës arritën një marrëveshje me klubin spanjoll për sulmuesin. 22-vjeçari spanjoll do të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare deri më 30 qershor 2029”, thuhet në njoftimin e bavarezëve.

Zbulimi i këtij sezoni në La Liga tanimë do jetë pjesë e Bundesligës, me Bayern Munich që pagoi vetëm 13 milionë euro për një nga anësorët më në formë të momentit. Shoku i Myrto Uzunit te Granada ka bërë hapin e madh në karrierë, teksa debutoi me Spanjën në fitoren 2-0 kundër Skocisë.