Mladen Krstajic është shkarkuar nga posti i trajnerit të kombëtares bullgare të futbollit. Serbi 49-vjeçar e drejtoi ekipin në vetëm 12 takime nga qershori i 2022 dhe pas humbjes 2-0 nga Shqipëria në miqësoren e datës 17 tetor në "Air Albania", nuk do jetë më trajneri i ekipit bullgar.
Komiteti Ekzekutiv në federatën e futbollit të këtij vendi ka vendosur që serbi nuk i ka plotësuar pritshmëritë. "Vendimi për shkarkimin e Mladen Krstajic është marrë unanimisht nga Komiteti Ekzekutiv. Jemi të gjithë të zhgënjyer. Jemi duke negociuar me trajnerin e ri, jemi para marrëveshjes. Meqenëse ende nuk kemi një vendim përfundimtar, nuk mund të shpall se kush është, do ta shpallim më 1 nëntor", tha një nga zyrtarët e federatës.
Me vetëm dy pikë të fituara në gjashtë ndeshje, Bullgaria është e fundit në grupin kualifikues G për Kampionatin Evropian 2024.