DURRËS - Enkeleid Dobi nuk është më trajneri i Teutës së Durrësit, pasi ka dhënë dorëheqje. Vendin e tij do e marrë ndihmëstrajneri Bledar Hodo, teksa 'Djemtë e Detit' do të luftojnë për mbijetesën në dy raundet e mbetura të Superligës.
Humbja e djeshme 0-1 kundër KF Tiranës në 'Niko Dovana' dhe gjashtë ndeshjet e fundit pa fitore (përfshi pesë humbje radhazi) kanë bërë që 'ujërat' të trazohen në Durrës.
Trajneri Dobi ka dhënë dorëheqjen, në dukje pakthim dhe nga dita e sotme nuk është më pjesë e Teutës. Ai e mori drejtimin e ekipit në fillimin e sezonit duke u kthyer në vendlindje pas shumë vitesh që jetonte në Poloni, por fati nuk i ka buzëqeshur.
Pas 34 ndeshjeve të luajtura, Teuta me 38 pikë mban vendin e gjashtë, por me pikë të barabarta edhe me tre ekipet që janë të renditura poshtë saj (Tirana, Vora dhe Bylisi).
Dy ndeshjet e radhës për Teutën janë kundër Flamurtarit në Vlorë (në mesjavë) dhe kundër Egnatias në Durrës. Bledar Hoda nuk ka një punë të lehtë përpara. Veç Dobit të Teutës, edhe Edlir Tetova u largua sot nga posti i trajnerit të Egnatias.
Njoftimi i Teutës së Durrësit:
Klubi i Futbollit Teuta njofton se trajneri Enkeleid Dobi ka paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe, duke filluar nga dita e sotme, nuk do të ushtrojë më detyrën e tij në drejtimin e ekipit të parë.
Klubi shpreh mirënjohjen e tij për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë nga trajneri Dobi gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar njëkohësisht suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.
Në fjalën e tij, trajneri Dobi falënderon presidentin për mundësinë e dhënë, stafin për bashkëpunimin dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Gjithashtu, ai shpreh një falënderim të veçantë për ekipin, për angazhimin, sakrificën dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë kohës së bashkëpunimit, duke theksuar se ka qenë një kënaqësi dhe nder të punojë me ta.
Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i ekipit do t’i besohet zëvendëstrajnerit Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik.
Komente










