TIRANE- Nëndrejtori i antiterrorit në SHISH, Skënder Çela i është drejtuar vetë dje Prokurorisë së Tiranës për të kërkuar fillimin e hetimeve për zhdukjen e djalit të tij 10 vjeçar.

“Hetoni zhdukjen e djalit”- ka qenë kërkesa e zyrtarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili prej 30 nëntorit nuk di asgjë për fatin e të birit. Burime pranë kësaj prokurorie bëjnë të ditur se pasditen e djeshme (8 dhjetor) ai ka komunikuar me zyrtarët e akuzës duke dhënë detaje për zhdukjen e Julianit dhe ka kërkuar fillimin e hetimeve.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se nga 30 nëntori e deri dje më 8 dhjetor policia nuk ka komunikuar asnjë material në lidhje me zhdukjen e Julianit, ashtu siç ndodh zakonisht kur disa ditë pasi merr denoncimin duhet t'i referojë material prokurorisë dhe më pas kjo e fundit bën një relacion dhe ia kthen policisë me detyrat konkrete për hetimin e cështjes.

Në dëshminë paraprake, Skënderi Çela informoi hetuesit edhe për ditët para zhdukjes dhe për 30 nëntorin, kur Juliani ishte parë deri në orën 16:00 të asaj pasditeje.Juliani është parë për herë të fundit në një qendër interneti në lagjen Laprakë.

FAMILJA NE KERKIM
Të gjithë anëtarët e familjes, të afërm të Julianit janë angazhuar për gjetjen e djaloshit 10 vjeçar. Ato kanë vendosur foto e djalit në kryqëzimet e Tiranës, pranë shkollave, në mure, pemë dhe stacione autobusi, si dhe e kanë shpërndarë në rrjete sociale si facebook. Por deri tani nuk ka ende asnjë gjurmë të Julianit. Madje ato kanë vënë në dispozicion një numër   0696629077 për këdo që do të japë informacion.

(sg/shqiptarja.com)