13 vite nga Gërdeci, familjarët: Na lanë vetëm! Zamira Durdaj që humbi djalin 7-vjeç nuk dorëzohet

15 Mars 2021, 12:51 | Përditesimi i fundit: 2021-03-15 17:08:58

Edhe në këtë 13 vjetor të tragjedisë së Gërdecit familjarët e viktimave janë mbledhur të gjithë bashkë për të kujtuar të dashurit e tyre në këto ditë të madhe dhimbjeje.

Ajo që u vu re sot në Gërdec ishte mungesa totale e politikës. Banorët thonë se janë lënë vetëm në dhimbjen e tyre, teksa sjellin në vëmendje ato momente të tmerrshme të 15 marsit 2008.

Me lule në duar dhe me lot në sy dhe me pengun e madh që nuk u vendos kurrë drejtësia disa prej tyre kanë folur për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta.

'Më plas shpirti o Arsen ctë të them! Si ikën 13 vite?", prek me fjalët e saj Zamira Durda, mamaja e Edison Durdaj, 7-vjeçarit të vrarë në 15 mars 2008, dhe që prej 13 vitesh nuk ka lënë asnjë seancë në shkallët e ndryshme të gjykatave në vend.

"Vetëm ma kanë përplasur surratit Gërdecin, të gjithë. Kanë qenë një bandë kriminale ata që e kanë bërë Gërdecin. E kam çuar në Gjykatën evropiane të Drejtave të Njeriut. Është një gjyqtar, Ledo Bianku që ma pengon çështjen në Strasburg. Prej vitit 2009 nuk e kam një përgjigje", vijon ajo.

 

"Unë nga politika nuk pres asgjë, pres nga drejtësia. Edhe këta në pushtet nuk na afrohen. Kjo do të thotë që janë të gjithë njësoj. E përdorën politikisht Gërdecin. Erdhën në pushtet", thotë me forcë Zamira, e cila bën me dije se para 2 javësh e ka riçuar çështjen në SPAK.