25 prilli/ Basha mbledh drejtuesit e qarqeve, bëhet bilanci i deritanishëm! Caktohet axhenda për javën

22 Shkurt 2021, 12:38 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 11:05:00

Kreu i PD Lulzim Basha mblodhi këtë të diel, për herë të tretë drejtuesit e 12 qarqeve për një bilanc të porosive të dhëna në mbledhjen e parë, për fushatën derë më derë, ku demokratët duhet të dëgjojnë problemet e qytetarëve, të prezantojnë programin e PD dhe të identifikojnë votuesit.

Burime nga mbledhja thanë për Report Tv se sot u diskutua axhenda e takimeve të fazës së parë të fushatës e cila do të vijojë deri më 5 mars. Takimet do të intensifikohen dhe cdo ditë, drejtuesit politikë duhet të zhvillojnë shumë takime brenda ditës.

Pas 5 marsit, PD do të nisë fazën e dytë të takimeve, ku do drejtuesit politikë do të shoqërohen nga kandidatët për deputetë, në takimet elektorale për të ofruar zgjidhjen e PD për problemet e qytetarëve.

Ndërkohë Basha vijon dhe punën për të arritur zyrtarisht marrëveshjen me partitë aleatët mbi përzgjedhjen e kandidatëve për t'u futur në lista të përbashkëta.

Mes kryedemokratit dhe Fatmir Mediut është arritur një marrëveshje në parim por po vijojnë bisedimet për përcaktimin e kandidatëve në lista.