400 kg kokainë në kamionin me pula, pala italiane: Mbi 100 milionë euro fitim, detajet e operacionit

18 Maj 2021, 16:54

Guardia di Finanza ka reaguar për kapjen e 400 kilogramë kokainë që ka kaluar nga porti i Durrësit dhe është kapur në Kosovë falë një bashkëpunimi të ndërsjella, mes DEA-s amerikane, autoriteteve italiane, shqiptare dhe atyre të Kosovës.

GDF thekson se të paktën 25 persona janë ndalur dhe 7 prej tyre u janë vënë prangat si të dyshuar në përfshirjen e trafikimit të kësaj sasie kokaine. Droga, nëse shitej me pakicë në qendrat evropiane të tregtisë së drogës, sipas GDF do të kishte lejuar krimin e organizuar të fitonte mbi njëqind milion euro.

Ngarkesa e paligjshme u identifikua nga Fiamme Gialle dhe nga Oficerët e Agjencisë Doganore të Gioia Tauro përmes skanimit me rreze X, të kryer me pajisje të sofistikuara në portin e Gioia Tauro, të një kontejneri në tranzit nga porti i Santos (Brazil) dhe që i drejtohej një kompanie me qendër në Lipjan (Kosovë), theksohet në njoftim.

Për të identifikuar autorët e trafikut masiv të paligjshëm, Prokuroria Publike e Reggio Calabria, DDA, urdhëroi ekzekutimin e një dërgese me ndërkombëtare duke mos e kapur drogën. Kështu në bashkëpunim me prokurorinë e Kosovës dhe atë shqiptare, sasia e madhe e kokainë u la që të dërgohej në destinacion, ku më pas u bë e mundur edhe arrestimi i personave të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar.

Mesditën e djeshme në Kosovë përveç 400 kilogramë kokainë janë sekuestruar edhe armë, fishekë, para, një veturë e telefona. Policia e Kosoves ka kryer bastisje në disa lokacione të vendit dhe mësohet se janë gjetur dhe sekuestruar dy revole, një TT dhe një me gaz, 25925 euro para të gatshme, 200 denarë MK, një veturë, 6 telefona celularë, dy laptopë, katër DVR dhe një Hard Disk. 

"Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë kreu një operacion në Lipjan, që rezultoi me konfiskimin e 400 kg kokainë dhe arrestimin e shtatë personave të dyshuar. Policia e Kosoves ka kryer bastisje në disa lokacione të vendit dhe nga burimet brenda prokurorisë se Kosoves mësohet se janë gjetur dhe sekuestruar dy revole, një TT dhe një me gaz, 25 mijë e 925 euro para të gatshme, 200 denarë MK, një veturë, 6 telefona celularë, dy laptopë, katër DVR dhe një Hard Disk", thuhet në njoftimin e palës kosovare.