Adriatik Lapaj jep lajmin: 'Shqipëria Bëhet' u regjistrua si parti politike në gjykatë! Gati bashkëpunimi me Sokon dhe Shabanin

15 Tetor, 17:57

Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’ Adriatik Lapaj ishte i ftuar në ‘Studio Live’ ku lajmëroi për Arbër Hitajn se lëvizja e tij është regjistruar në Gjykatë si parti politike. Sa i përket sulmeve që i bëhen, ai shpjegon se klasa e vjetër politike po e ndjen peshën e partive dhe lëvizjeve të reja në elektorat.

'Ne kemi në dorë veten, jo të tjerët. Në këtë proces , kam shtrirë dorën e bashkëpunimin me çdo subjekt që nuk ka konsumuar pushtet në 34 vite. Si sillen karshi nesh është zgjedhja e tyre. Nëse sillen me ne sikur ne kemi qeverisur Shqipërinë për 34 vite po bëjnë lojën e partisë mëmë. Klasa politike është në presionin e lëvizjes sonë. Kanë pritur që të stepesha karshi kërcënimeve, lodhjes. Unë mund të thyhem por nuk tërhiqem. Mund të më marrin jetë, por nuk ndalet lëvizja. Për të gjithë ata të rinjtë që e kanë të sinqertë këtë luftë në shenjë pjekurie i shtrijë dorën e bashkëpunimit për të shkuar përpara. Nëse bëjnë tytën baltëhedhëse do ta konsiderojmë palë me të vjetrën.'