Ahmetaj: Shumë shpejt mbërrijnë edhe 132 mijë doza AstraZeneca! Qëllimi, të vaksinojmë në kohë rekord të gjithë popullatën mbi 16-vjeç

5 Prill 2021, 23:33 | Përditesimi i fundit: 2021-04-05 23:39:13

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se qeveria ka bërë gjithçka për të siguruar vaksina dhe se duhet theksuar se nuk ka siguruar vaksina dosido por ata vaksina që kanë një përdorim të gjerë në shtete të ndryshme dhe që kanë certifikatën e sigurisë me vete, pra vaksina të sigurta për shëndetin.

I ftuar në "5 pyetje nga Babaramo" në Report Tv, Ahmetaj tha se shumë shpejt pritet të mbërrijnë rreth 82 mijë doza AstraZeneca nga COVAX dhe 50 mijë AstraZeneca dhuratë nga një vend mik dhe gjithashtu deri në fund të prillit vijnë edhe 30 mijë doza Pfizer. Ministri Ahmetaj tha se duhen diku te 4 deri në 5 milionë vaksina për të përmbyllur vaksinimin masiv që nga mosha + 16 vjeç.Presim rreth 82 mijë nga AstraZeneca shumë shpejt nga COVAX  edhe nga një vend mik presim edhe 50 mijë doza AstraZeneca. Deri në fund të prillit presim 30 mijë doza Pfizer. Oferta është e kufizuar për shkak të kapaciteteve jo fort të përgatitura prodhuese dhe se kërkesa ka ardhur gjithnjë në rritje. Nëse nuk do kishim bërë këtë që kemi bërë, nëse nuk do ishim agresivë në kërkesën për të kontraktuar vaksina, nuk do arrinim dot të sillnim vaksinat që janë. Ky proces deri tani ka kushtuar, midis COVAX, Pfizer edhe Sinovac, shkon diku më pak se 20 milion dollarë, në një mesatare. Unë mendoj se do na duhen diku te 4 deri në 5 milion vaksina dhe do vijojmë të kontraktojmë me agresivitet sepse nuk besoj që vaksinimi një herë do jetë i mjaftueshëm. Për vitin 2021 është e papërcaktuar sa mund të kushtojë vaksinimi. Qëllimi është të vaksinojmë në kohë rekord të gjithë popullatën mbi 16-vjeç", tha Ahmetaj