Për ish kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, i pandehur për “Shpërdorim të detyrës” 2 herë, dhe mosdeklarim pasurie në kohën kur ishte kryebashkiak, vendimmarrja në GJKKO pritet të jetë shumë shpejt.
Në seancën e parë të themelit mbajtur sot (27 janar) Gjyqtari i themelit Ardit Mustafaj pranoi kërkesën e ish kryebashkiakut për procedurën e gjykimit të shkurtuar. Bashkë me Jorgo Goron, gjykimi me procedurë të shkurtuar do të jetë edhe për ish zyrtarët e tjerë, kokretisht për ish juristin e Hipotekës Vezir Gjikoka dhe ish Drejtorin e Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë Jerasimo Bashi. Ndërsa ish kreu i Kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj, do të gjykohet me gjykim të zakonshëm.
Në seancë ku ishte i pranishëm edhe vetë Goro, i cili prej kohësh ndodhet në spitalin e burgut për shkak të gjendjes shëndetësore, Gjykata vendosi 13 shkurtin ditën kur prokuroria do të japë pretencën.