TIRANË- Mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix u trajtua tema: Arsimi i Lartë përtej protestës. Të ftuar në studio ishin pedagogët: Enriketa Papa, pedagoge UT; Rezart Prifti pedagog UT; Jani Marka pedagog dhe gjithashtu pjesë e "Lëvizja për Universitetin" dhe një prej hartuesve të ligjit, Plarent Ndreca.
Në Repolitix, Plarent Ndreca, ish-sekretar i MASR gjithashtu dhe hartues i ligjit u shpreh se gjatë protestës së tyre studentët nuk kërkuan ndryshime të Ligjit për Arsimin e Lartë. I të njëjtit mendim ishte dhe pedagogu Rezart Prifit, i cili tha se problemet në universitete nuk e kanë burimin nga ligji.
Kundër ligjit janë shprehur dy pedagogët e tjerë, Enriketa Papa dhe Jani Marka, të cilët kërkuan anulimin e ligjit për arsimin e lartë duke propozuar krijimin e një të riu në bashkëpunim me pedagogët e tjerë.
Ky diskutim vjen pak orë pasi qeveria dhe kryeministri Edi Rama shpallën Paktin për Universitetin, të përbërë nga 11 vendime dhe 4 urdhra të Ramës që kanë për qëllim përmirësimin e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Rama gjatë një konference për shtyp u shpreh se ligji për arsimin e lartë nuk do të preket, pasi nuk është ai problemi, por boshllëku për t’u plotësuar nga ligji te ligjshmëria.