Balluku: Ky nuk është moment për ta përdorur politikisht, është shqetësim i thellë për qytetarët dhe partnerët

29 Korrik 2022, 18:00

Balluku sqaroi në komunikimin live, përpos falënderimeve bëri me dije se do kryhet një hetim i thellë i sulmit kibernetikë.

'Faleminderit shumë Kevin. E përsëris falënderimin, i cili në këto momente të vështira prezenca e skuadrës së DART të Microsoftit, ka qenë jetike për ne. Padyshim ne kemi djem dhe vajza të cilët janë thellësisht të përgatitur, kjo ka qenë një nga vlerësimet që kemi marrë si nga Jones Group, që gjej rastin që ti falenderoj edhe ata për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë kësaj periudhe të vështirë, por edhe një vlerësim që ka ardhur nga skuadra e Microsoftit. Në stafet e AKSH-it gjenden vajza dhe djem të aftë të cilët mund të përballojnë padyshim sfida të tilla. Por, nga ana tjetër ashtu siç thamë bëhet fjalë bëhet fjalë për një atak masiv dhe një agresion të vërtetë kibernetik, i cili edhe kur i kemi pyetur specialistët kanë thënë që ka qenë nga një grup i mirëstrukturuar hakerash dhe jo një haker amator siç mund të thuhej. Megjithatë unë do të desha të bëja thirrje për të gjithë ata të cilët kanë vendosur që të komunikojnë publikisht idetë dhe mendimet e tyre. Në situata të tilla do të ishte shumë më mirë që të prisnim atë që edhe znj.Karçanaj tha, një hetim të thellë të të gjithë këtij sulmi kibernetik, i cili po bëhet nga agjencitë përkatëse dhe që pas raportit padyshim do të jetë një raport që për aq sa do mundemi do të bëhet transparent, pasi ka dhe pjesë në sulmet kibernetike, ashtu siç thamë dhe sot që mungesa e gazetarëve në sallë vjen për shkak të kërkesës që Microsoft na ka bërë, duke qenë se ka një shkallë të sekretimit të të gjithë procesit, i cili nuk mund të bëhet transparent në këto momente. Megjithatë gjithçka që do të mund të bëhet transparente pas hetimit të plotë të këtij agresioni, ne do ta bëjmë me shumë kënaqësi. Deri në atë moment për të mos patur dezinformim të qytetarëve apo qoftë dhe të punonjësve të administratës, të cilët janë të shumë dhe janë përballur më këtë situatë, do të ishte mirë të ishim të kujdesshëm në gjithçka themi dhe në gjithçka marrim përsipër për të pasur parasysh që teknologjia ndryshon, nga çfarë aplikohet sot në AKSH, apo çfarë aplikohet në vendet e tjera apo çfarë diturie apo dijeni mund të kenë të gjithë ekspertët, ky nuk është një moment për të shprehur apo për tu përdorur politikisht, ky është një moment i cili ka prekur shqiptarët dhe ashtu siç e thashë në fillim të fjalës sime, ka shqetësuar padyshim edhe partnerët, pasi Shqipëria është vënë në shënjestër dhe ky atak ka krijuar një sërë problematikash. E rëndësishme është dhe është kjo diçka për tu shënuar në gjithë procesin që vetëm në 4 ditë kemi pasur rikthim të më shumë se 98% të shërbimeve dhe siç znj.Karçanaj e përmendi një pjesë e mirë e këtyre shërbimeve po rikthehen.