Bankers Petroleum: Vijon me ritme të qëndrueshme prodhimi i naftës në Patos-Marinëz!

28 Maj 2021, 13:58 | Përditesimi i fundit: 2021-05-28 15:29:32

Në fushën e Patos-Marinzës ka vijuar me ritme të qëndrueshme prodhimi i naftës duke shënuar rreth 162 mijë ton vetëm për janar-marsin 2021.

Situata në tregjet ndërkombëtare është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë pasi cmimi i Brentit ka shënuar një rritje prej rreth 20% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Aktualisht brenti është në nivelin e rreth 68 USD për fuci.

Prodhimi ditor i naftës ka shënuar rreth 11,300 fuçi nafte në ditë përgjatë kësaj periudhe.

Ne total, kompania ka gjeneruar mbi 51 milionë dollar nga prodhimi dhe shitja e naftës. Këto të ardhura janë ri-investuar në fushën e Patos-Marinzës në operacionet naftënxjerrëse.

Një ndikim të madh, ka patur edhe në arkëtimet për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të Bankers, gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë paguar rreth 6.6 Milionë dollarë rentë minerare në tatime dhe dogana si dhe prodhim para-ekzistues për Albpetrol.
Aktualisht, Bankers zë rreth 75% të të ardhurave që shteti shqiptar mbledh nga renta minerare në vend.

Thuajse e gjithë nafta e prodhuar është eksportuar drejt tregjeve europiane në kushtet kur rafineria më e madhe në vend, në Ballsh, ka ndaluar operacionet.

Që nga viti 2004 Bankers operon në Patos-Marinëz, fusha më e madhe e naftës në Evropën Kontinentale dhe ka investuar më shumë se 3.5 Milion USD.

Përfaqësuesit e kompanisë konfirmojnë se pavarësisht se Bankers nuk ka rikuperuar ende investimet e saj, plani i tyre është të vazhdojnë të bëjnë investime afatgjata në Shqipëri dhe kështu kontributi në ekonominë lokale do të mbetet i lartë.