Basha e pezulloi, Këlliçi për Report Tv: Me vendimin për përjashtimet pushkatoi politikisht elitën e PD! Distancohem nga dhuna, nuk ndalemi pa e nxjerrë nga zyra

11 Janar 2022, 13:37

Deputeti demokrat dhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi e cilësoi “pushkatim politik të elitës së PD” vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga PD dhe 8 anëtarëve të tjerë. Në një intervistë për “Sot live në Shqipëri” në Report Tv për gazetarin Andi Kapxhiu, Këlliçi tha se nuk ishte parë në Europë që selia e një partie politike të bunkerizohej dhe kryetari ta trajtonte atë si pronë private dhe jo si një aset kombëtar.

“Tentativa për të pushkatuar politikisht elitën e PD nga Basha, tentativa e Bashës për të shkatërruar PD nuk do të ketë sukses, pasi ai sot është një ish kryetar partie që nuk zbret dot në katin e parë të selisë së tij e jo më në bazë. Është bunkerizuar një seli politike, e padëgjuar më parë në Europë. PD është aset kombëtar nuk mundet Basha ta trajtoje si prone private, ku e gjen te drejtën te blindoje dyert e ti mbylli për demokratet. PD ishte ne vdekje klinike dhe largimi i Bashës është jetike një orë e më parë”, tha Këlliçi.