Basha 'krenohet' me vendimin e Këshillit të Europës që u zhduk: Pa larguar Ramën nuk do të ketë zgjedhje

26 Qershor 2019, 21:59

Lideri i opozitës jo parlamentare, Lulzim Basha ka dalë në deklaratë për media duke komentuar një njoftim të dhënë nga Kongresi i Autoriteteve Vendore i Këshillit të Europës, i cili nuk ka asnjë lidhje me Bashkimin Europian, ku bënte të ditur se ka vendosur të anulojë delegacionin e saj  për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, për shkak të paqartësisë lidhur me organizmin e tyre.

Megjithëse ky njoftim u zhduk brenda pak kohësh dhe tashmë nuk ekziston në faqen zyrtare që e  shpërndau, kreu i PD, Basha ka përshëndetur vendimin duke thënë se ai i ka thënë Europës të vërtetën. Sipas pretendimeve të Bashës është një distancim i pastër politik.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Erion Veliaj i cili bëri të ditur se kishte qenë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ajo që kishte keqinformuar qëllimisht përfaqësuesit e këtij autoriteti në mënyrë që përfaqësuesit e tij të mos vinin në Shqipëri. Ai bëri të ditur se situata është sqaruar dhe Kongresi i Këshillit të Europës ka konfirmuar se vëzhguesit e tij do vijnë në Shqipëri për zgjedhjet e së dielës.

Fjala e plotë e Bashës:

Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik. Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet fallco një partiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal.

Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës.

Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit.

Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit.

Qëndrimi i opozitës mbetet i prerë: Këto nuk janë zgjedhje. Ato nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht.

Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin.

Ne do të bëjmë çdo gjë që aventura e Edi Ramës më 30 Qershor të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk zhvillohen zgjedhje të lira, ku vidhen zgjedhjet, ku nuk numërohen votat.

Është i vetmi vend në botën normale, ku zgjedhjet vidhen me kriminelë haptazi dhe nuk ndëshkohet askush.

Ne e kemi bërë të qartë se pa ndëshkuar kriminelët që vodhën zgjedhjet dhe pa larguar Edi Ramën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje të lira.

Edi Rama ka vendosur të vazhdojë aventurën e 30 qershorit.

Të dielën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje. Do të ketë një farsë.

Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo aventurë të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet.

Regjimi i Edi Ramës po u bën presion gjithë punonjësve të administratës publike që të dalin në votime me çdo kusht dhe të marrin familjet. Është dhunim i lirisë, dhunim i vullnetit të lirë, dhunim i dinjitetit të njerëzve.

Drejtorët, ministrat dhe shefat kudo në administratë, tani kanë marrë vetë rolin e të fortëve dhe të kriminelëve, duke kërcënuar dhe detyruar shqiptarët për të votuar.

Edhe pse i vetëm në votime, edhe pse i ka vetë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit dhe anëtarët e KQZ-së, edhe pse mund të shënojë çfarë të dojë si numër pjesëmarrje dhe si rezultat votimi, Edi Rama nuk heq dorë nga dhuna dhe nga krimi. Tashmë ai po përdor direkt funksionarët shtetërore për të kërcënaur dhe dhunuar qytetarët dhe për të shpërndarë paratë e krimit për vota.

Ministrja e Mbrojtjes sot ka qënë në Peshkopi me makina ushtrie me targa fallco private për të shpërndarë para për të dalë në zgjedhje. Edhe Ministrja po bën atë që bëri bashkëshorti i saj. i kapur në përgjimet e Bild, bashkëshorti që i shpëtoi dekriminalizmit duke mos kandiduar më.

I gjithë procesi në Peshkopi po drejtohet sërish nga Robert Aga, shefi i policisë që bashkëpunon me krimin e organizuar. Robert Aga duhet të ishte në burg për trafik droge dhe bashkëpunim me krimin për vota. Dhe do të shkojë shpejt." ka thënë Basha.

Selia e kësaj organizate ndërkombëtare, pjesë e së cilës është edhe Voltana Ademi, ndodhet në Francë dhe nuk ka asnjë lidhje institucionale as me Komisionin e BE, as me Këshilli Europian qe janë organzimat zyrtare te Bashkimi Europian.

Ajo nuk ka marrë pjesë si vëzhguese në çdo proces zgjedhor në Shqipëri. Rasti i fundit kur kjo organizatë ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri ka qenë në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

“Kongresi i autoriteteve vendore i Këshillit të Europës ka vendosur të anulojë Delegacionin e Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do mbahen zgjedhjet. Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kongresin", thuhej  në njoftimin që u fshi.

    No videos found.