Basha nga Elbasani: Krerët e policisë morën në mbrojtje bandat që blinin vota, prokurori fshehu provat!

16 Maj 2021, 14:32 | Përditesimi i fundit: 2021-05-16 14:47:16

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha nga Elbasani, ku po zhvillon një mbledhje me qytetarët, se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakrës elektorale dhe se ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura.

Basha tha se ata që ende nuk kuptojnë si u vodhën zgjedhjet nga regjimi Rama-Doshi, le të vijnë në Elbasan, ku krerë të policisë morën në mbrojtje bandat që blinin vota, duke shtuar se prokurori u përpoq që të fshihte provat e kapjes në flagrancë. Basha tha se ato do të të luftojnë deri kur të rrëzojnë regjimin  Rama-Doshi dhe do t’jua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.

'Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit. Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit.'- tha Basha.

Duke iu përgjigjur sërish ftesës së kryeministrit Edi Rama në lidhje me bashkëpunimin midis tyre, Basha tha se krimi është bërë njësh me pushtetin dhe se ato nuk do të bien në paqe me këtë realitet dhe se nuk do të ulin kokën përball këtij realiteti.