Bllokimi i rrugëve/ Një protestues në pranga, Policia: Dhunoi kalimtarë, sulmoi edhe një makinë! 15 të tjerë në hetim

10 Shtator, 16:43 | Përditesimi: 10 Shtator, 16:43

Vetëm 1 protestues është arrestuar nga Policia e Tiranës pas akteve të dhunës mbrëmjen e 9 shtatorit në protestë, kur bllokuan qarkullimin e rrugëve dhe protestuesit rrethuan edhe një makinë të cilën e sulmuan.

Ndaj tij rëndojnë 4 vepra penale, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Policia thotë se i riu ka dhunuar qytetarë disa kalimtarë gjatë tubimit, si dhe ka dëmtuar automjetin e një qytetari të cilin e rrethuan ndërsa ai po kërkonte të kalonte. 

15 protestues të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërkohë 2 prej të proceduarve do të hetohen edhe për lëndë narkotikë pasi me vete u janë gjetur disa doza kanabisi.

E.H/Shqiptarja.com