Bogdani: Rama miqësi me vendet e lindjes, hedh poshtë BE! Koja: Shqipëria humbi trenin për në Europë në 1996-ën

19 Janar 2021, 23:03 | Përditesimi i fundit: 2021-01-19 23:24:15

Për ish deputetin e PD-së, Gerti Bogdanin, kritikat e kryeministrit Edi Rama për mungesën e solidaritetit të BE-së për vaksinimin janë një sulm që i bëhet unionit duke e larguar më shumë Shqipërinë nga rruga e integrimit. I ftuar në emisionin 'Repolitix', Bogdani tha se Rama ka shkuar drejt vendeve të lindjes duke krijuar miqësi e duke hedhur poshtë BE-në. Demokrati vijon më tej duke u shprehur se kryeministri e mori Shqipërinë me 3 kushte ndaj integrimit të BE-së dhe e ka lënë me 8.

Kjo çështje ka hapur debat në studio mes Bogdanit dhe ish-Ministrit të Shëndetësisë, Gjergji Koja i cili shprehet se Shqipëria e humbi trenin për në Europë në 26 maj të vitit 1996 duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare, të kontestueshme gjatë asaj kohe. Koja thotë se për këtë fajin e ka pasur ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë duke folur për vaksinimin, Koja tha se deklaratat e komisionerit Varhelyi, i japin të drejtë kritikave të Ramës, ndërkohë që Bogdani e mohon.

Bogdani: Të nxjerrësh Edi Ramën politikanin më europian në Shqipëri, nuk e di se në çfarë realiteti jetoni. E mori me 3 kushte e çoi me 8 kushte përballë integrimit europian. Ka shkuar më tej drejt lindjes është e vërtetë. Mund të shkojë të bëjë miqësi me vendet e tjera, por jo të hedhë poshtë BE-në. Sot për herë të parë në 8 vite po zyrtarizohet termi oligarki, oligarkët i mbajnë anadollakët, i mban Putini dhe vendet e lindjes.

Koja: Është hipokrizi politike. Më përmendni vetëm një emër. Edhe kryetari juaj nuk i thotë me emra. Ne e humbëm trenin për në Europë në 26 maj të vitit 1996, ishim shumë afër integrimit.

Bogdani: Që prej asaj kohe u bëmë anëtare e NATO-s, firmose stabilizim asocimin, liberalizuam vizat...

Koja: Po leje se ti ke qenë i vogël atëherë nuk e di se çfarë ka ndodhur në 26 maj 1996. Meqënëse hymë tek kushtet që i ka shtuar Edi Rama integrimit në BE, ne trenin e humbëm që në '96 së bashku me firmat piramidale. Saliu e ka fajin patjetër. Rama dha një mendim të tij për vaksinën, tha që disa vende të BE-së na lanë vetëm. Reagimin për këtë e dha komisioneri për Zgjerim dhe komisionerja e shnëdetësisë së BE-së. Reflektuan në mënyrën më të mirë të mundshëm.

Bogdani: Përsa i përket deklaratës, kur thoni se komisioneri dëgjoi Ramën dhe bëri deklaratë, urdhëro deklaratën e Ambasadës Franceze...

Koja: Mos bëni lojëra fjalësh, merru me komisionerin. Mos e dridh debatin. E mohoni deklaratën e komisionerit?

Bogdani: Në mënyrë absolute nuk i japin të drejtë.