Brataj: Hapjen e qershorit do ta shohim në korrik, njerëzit akoma nuk besojnë, s'marrin masa!

1 Korrik 2020, 22:43 | Përditesimi i fundit: 2020-07-01 22:46:17

Gjatë muajit qershor Shqipëria ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus në krahasim me fillimin e pandemisë. I ftuar në studion e emisionit 'Reporlitix' në Report TV, drejtori  i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se shtimi i rasteve është si pasojë e lirimit të masave që u bënë në muajin maj.  Ndërsa të infektuarit e qershorit do të shikohen në muajin korrik.  Megjithatë, Brataj tha se qytetarët ende nuk e besojnë ndaj edhe nuk marrin masa.

"Këto infeksione janë marrë në muajin maj, inkubacioni dhe sëmundshmëria është si pasojë e lirimit të masave në maj. Ndërsa hapjen e qershorit do ta shohim në korrik. E keqja më e madhe është se njerëzit nuk e besojnë dhe nuk marrin asnjë masë. Kjo është më keq, sepse vazhdohet edhe tani që është rritur mundësia e transmetimit dhe pakujdesia është rritur më shumë detyrimisht do të ketë më shumë të infektuar. Numri i të infektuarve e ka një përqindje të sëmurësh. Me ato që ne kishim bërë tek qendra kombëtare, mbi 30% e të infektuarve shndërroheshin në pacientë. Të themi në 1 mijë të infektuar do të kemi 300 pacientë. Nga këta 300 pacientë. Nga këta 300 pacientë, 10-13 % përfundojnë në terapo intesive. Pra në 300, 35 do të përfundojnë në terapi intesive. Nga këta 2.2-2.3 % janë vdekshmëri", tha Brataj.