Bushati: Mandati i tretë do të ketë një qeverisje të rinovuar dhe rimotivuar! PD dhe LSI nuk do të gjejnë asnjë fakt për manipulimin e zgjedhjeve

14 Maj 2021, 17:21

#reportTV #lajmeshqip #lajme Partia Socialiste më 12 qershor do të mbledhë Kongresin e Jashtëzakonshëm, në 30-vjetorin e krijimit të kësaj force politike, ku do të paraqesë edhe vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës. Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën Ervin Bushati i ftuar në Report Tv tha se ky do të jetë një kongres ku do të flitet për të ardhmen, dhe se PS do të rikonstrukturohet si një mekanizëm i pastër politik. ‘Është Kongresi ku do të flasim për të ardhmen. PS është një parti e zhvillimit. PS do të ristrukturohet si një mekanizëm i pastër politik.’- tha Bushati. Duke folur për mandatin e tretë, dhe krijimin e ri të kabinetit qeveritar, Bushati nënvizoi se kjo qeveri do të jetë, e pastër, e ndershme, e rinovuar dhe e motivuar. ‘Kemi hyrë në një territor të veçantë, ku në mandatin e tretë duhet të bëjmë më të mirë, duhet të jetë një qeverisje e pastër, e ndershme, e rinovuar dhe rimotivuar për të bërë gjithçka një shkëputje më të shkuarën. Do bëjmë një qeverisje ku piketat do të jenë në funksion të qeverisjes dhe jo tek emrat. PS ka luksin të bëjë qeverinë më të mirën në historinë e Shqipërisë. PS ka shumë prurje ka dhe ekspertizën dhe ka kapitalet më të mira njerëzore në vend. Do të krijojmë një administratë sa më pastër dhe sa më pranë qytetarëve. Të rrisim ekonominë dhe ta bëjmë sa më konkurencë dhe të fortë. Të rrisim rrogat minimale. Patjetër që një këto muaj ne duke u marrë me veten në fakt merremi me modelin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Shqipëria ka një rrugë pa kthim drejt BE-së.’- tha Bushati. Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, Bushati tha se populli e dha verdiktin e tij dhe se partitë kryesore tashme duhet të dinë që ta vlerësojnë. Bushati tha se mesazhi nga populli ishte i qartë edhe për LSI-në, ku tregoi se nuk id o partitë parazitare. ‘Në Shqipëri ka ardhur koha për një maturi politike, ku partitë kryesore të dinë që të vlerësojnë vendimin e zgjedhësve. Mesazhi për LSI ishte nga votuesit se qytetarët nuk i pëlqejnë partitë parazituese.’- tha Bushati. Bushati foli edhe për akuzat e opozitës për manipulim të zgjedhjeve, ku nënvizoi se PD dhe LSI nuk do të sjellin asnjë fakt pasi nuk ka. 'Edhe për zgjedhjet e 2025, ata kanë të njëjtin lider që ka humbur për 5 herë rresht, dhe e vetmja justifikim është se zgjedhjet sipas tyre u manipuluan. Basha hapi shampanjën e fitore ditën e dielë në orën 18:00. Nuk do të sjellin asnjë fakt manipulimi pasi nuk ka.'- tha Bushati.