Denaj: Shtojmë 2 miliard lekë për vaksinat! Balla: Meta të shkarkohet, duam president mbi palët

4 Maj 2021, 17:37

Në seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 25 prillit kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, duke folur për nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta tha se kjo nuk është një "kapriço" e mazhorancës për të kapur institucionin e presidentit, por sepse vendit sipas tij i duhet një president mbi palët politike politike që ndihmon në çuarjen e vendit në BE.

Teksa i bëri thirrje Partisë Demokratike, që të pranojë zgjedhjet e 25 prillit dhe ftesën e mazhorancës për të bashkëpunuar në Parlamentin e ri, që nis punën nga 9 shtatori, nga foltorja e Kuvendit, Balla kërkoi një hetim të plotë e të detajuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Duke thënë se nuk duhet hetuar vetëm personi që vrau, ai shtoi se nën hetim duhet të merren edhe urdhëruesit, e këtu akuzoi PD për ngritje të grupeve të armatosura. Ndërkaq një thirrje i bëri edhe PD që të distancohet nga këro grupe të armatosura.

Kurse ministrja e Financave, Anila Denaj, duke folur në seancën e sotme plenare në lidhje me Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin 2021, tha se prioritet i Qeverisë është vaksinimi i qytetarëve dhe ndryshimet parashikojnë shtesën 2 miliard lekë për Fondin Rezerve me destinacion blerja e vaksinave.

Kuvendi u mblodh me deputetët aktualë ku shumicë prej tyre do të ulen për herë të fundit në parlament, ndërsa 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të betohen në shtator. Në seancën e sotme në rend dite janë futur për votime mes të tjerave edhe disa projekt-ligje të kthyera nga Presidenti si dhe akte normative të qeverisë që lidhen me marrëveshje për sigurimin e vaksinave. 

Disa nga deputetët kanë seancat e fundit më Kuvend ku mes tyre janë dhe emra të rëndësishëm si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Ilir Beqaj, Vasilika Hysi apo Eglantina Gjermeni dhe pothuajse të gjithë deputetët e opozitës së re. Janë rreth 80 deputetë që do të ulen në ato karrige në seancat e fundit dhe nuk do të rikthehen më në shtator si ligjvënës të Republikës së Shqipërisë. Më 25 prill Partia Socialiste mori 74 mandate dhe fitoi një mandat të tretë historik, PD u rendit e dyta me 59 mandate, LSI që siguroi vetëm katër mandate dhe PSD me 3 mandate.