TIRANË-Ilir Meta mund të bëhet i pari kryetar shteti në historinë e Shqipërisë i shkarkuar nga ligjvënësit për shkelje të rënda të Kushtetutës së vendit. Mazhoranca socialiste, e vendosur që këtë nismë të dytë ta çojë deri në fund, nuk ka humbur kohë por ka mbledhur nga radhët e saj 50 firma nga 35 që duhen gjithsej për të materializuar sa më shpejt nisjen e procesit.
'Ilir Meta ka krijuar ndasi sociale, politike dhe ka nxitur daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët... duke sjellë deri në kryerjen e konflikteve me armë'. Përmes këtyre akuzave shumë të forta socialistët duan ta bëjnë Ilir Metën shembull, pasi sipas tyre nuk ka qenë në asnjë moment ashtu siç e 'urdhëron' Kushtetuta: i paanshëm dhe që përfaqëson unitetin e popullit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar si të vazhdueshme shkeljen e Kushtetutës nga ana e Metës. Balla ka thënë se në dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nisma e parë për shkarkimin e Presidentit Meta nuk u konkludua në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias.
Nisur nga zyrtarizimi i nismës ka ardhur edhe reagimi i Presidentit Meta, i cili e konsideron ende një 'shashkë' gjithë këtë proces dhe bën thirrje që vëmendja të përqendrohet të krimet zgjedhore.
Ndërkohë që sot paradite u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4 maj, 6 maj, 13 maj dhe 20 maj 2021.
Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.
Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim.
Foto nga Konferenca e Kryetarëve
(Kliko ketu per te lexuar deklaraten e plote me firmat e deputeteve per shkarkimin e Ilir Metes)
“Shashkë” e ka quajtur presidenti Ilir Meta zyrtarizmin e kërkesës së PS-së për shkarkimin e tij. Në një reagim, fill pas daljes publike të numrit 2 të socialiste, Taulant Balla, Meta doli me një mesazh duke thënë se maxhoranca duhet të merret me krimet zgjedhore.
“Të përqëndrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar! Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore”, shkruan Meta.
Në një dokument 41 faqësh, mazhoranca ka dhënë argumentet se përse duhet shkarkuar presidenti Ilir Meta. Sipas tyre, Meta ka shkelur Kushtetutën, që ka nisur që me marrjen e detyrës së tij si kreu i shtetit dhe ka arritur kulmin në fushatën zgjedhore.
“Në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore, Meta ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjelle që në vlerësimin tonë përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndasi sociale dhe politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit, Këto aktet konsistojnë në sjellë dhe mesazhe publike të tij në kundërshtim me parimin e unitetit. (...)Meta nuk ka garantuar unitetin publik, ka nxitur në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes dhe lirinë personale deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve duke përfshirë vënien në rrezik të jetës se efektivëve të Policisë së Shtetit”, shkruhet në dokument.
Në dokumentin e firmosur nga 50 deputetë të Kuvendit për të nisur procedurat për shkarkimin e Ilir Metës janë bashkëngjitur një sërë provash që sipas firmëtarëve vërtetojnë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij politike.
"'Sfurqet do të jenë të dielën nëse preket vota'; 'Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar e punëtorë që nga Shkodra e gjer në Vlorë'; 'Erdhi koha t'ia kthejmë Ramën, Lindës dhe Zahos, të cilëve ju mungon aq shumë'", janë disa prej mesazheve të Metës të pasqyruara në dokument.
Ja të gjitha mesazhet e përzgjedhura nga grupi i nismëtarëve:
50 deputet kanë firmosur për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Report Tv ka siguruar dokumentin me emrat e deputetëve dhe firmat.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se mazhoranca është e vendosur të vijojë me procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi sipas tij ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme.
"Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, depozituan kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit Presidenti i Republikës përpara dhe gjatë fushatës ka kryer veprime që shkelin Kushtetuetën e Shqipërisë. Kemi pasur edhe një Rezolutë të mëparshme që i kërkonim Presidentit të rikthehej në binarët e Kushtetutës. Presidenti nuk e ka respektuar këtë rezolutë të vitit 2019 dhe ka vijuar me shkeljen e Kushtetutës. Ndaj Kuvendi do të shprehet me vendim për këtë. Unë besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin për ta shqyrtuar këtë proces", tha Balla.
Si një prej firmëtarëve të dokumentit për nisjen e procesurës së shkarkimit, Balla tha se në këtë dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nisma e parë për shkarkimin e Presidentit Meta nuk u konkludua në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias.
"Në ruajmë respekt maksimal sepse ka një vlerë të pakundërshtueshme për ne si institucion", tha ndër të tjera Balla.