Deputetët e opozitës ankimojnë vendimin për përjashtimin nga seanca plenare, Bylykbashi: Tani kanë të drejtë për të hyrë në seancën plenare

16 Shkurt 2023, 10:23

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka bërë me dije se kanë kërkuar ankimim për vendimin e Kuvendit për të përjashtuar nga seancat plenare Sali Berishën, Edi Palokën, Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin. Sipas tij, në momentin që pezullohet vendimi, mund të marrin pjesë në seanca.

“Siç mund të jeni informuar është bërë ankim në Byronë e Kuvendit nga deputetët që janë ndëshkuar në mënyrë të paligjshme me sanksione për përjashtim nga seanca e sotme. Ky ankim detyron Kuvendin të pezullojë vendimin dhe deputetët të kenë të drejta për të hyrë në seancë plenare. Mbi bazën e nenit 63 është e drejta e deputetëve për ankim në Byronë dhe derisa ta marrë në shqyrtim, vendimi është fare i qartë.

Ky vendim për sanksion pezullohet kështu që deputetët kanë të drejtë të hyjnë. Ka detyrën të zbatojë ligjin dhe të lejojë deputetët të hyjnë brenda. Edi Rama po e përdor Kuvendin duke cenuar të drejtat e përfaqësimit të të gjithë atyre që na kanë votuar. Çështja McGonigal është stuhi që e ka përfshirë më shumë kryeministrin dhe kërkojmë që kjo aferë e shëmtuar që ka turpëruar Shqipërinë të hetohet. Kryeministri ka nevojë të zbrazet salla ndaj ka marrë këto masa. Kjo është e papranueshme, ne kërkojmë që Byroja ta marrë në shqyrtim kërkesën tonë.

Tregohet qartazi se kush është qëllimi që kanë këta, Edi Rama dhe të gjithë shumica parlamentare, pikërisht pengimi i opozitës duke nxjerrë sajesa që të përfaqësojnë shqiptarët në parlament”, tha Bylykbashi.

    No videos found.