Dështimi i Kurtit për formimin e qeverisë, Bajrami nga LDK: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme

26 Tetor, 14:39 | Përditesimi: 26 Tetor, 14:39

Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.

Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata s’kishin numra për këtë post, por kishin votat e nevojshme për Qeveri të re.

“U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e re”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

r.k./Shqiptarja.com