Dita e çlirimit të Kosovës, Osmani: NATO pranë nesh në momentet më të errëta, Kurti: Sot kremtojmë paqen, Meta: Kjo ditë na kujton se sa e shtrenjtë është pavarësia

12 Qershor 2021, 15:21

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milion shqiptarëve të Kosovës. Integriteti territorial i Kosovës është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës.

Gjatë paradites së sotme janë zhvilluar homazhe në nder të 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku kanë qenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca.

Ata kanë kujtuar momentet e vështira dhe kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore të ushtarëve të NATO-s të cilët humbën jetën 22 vite më parë.

Edhe presidenti Ilir Meta ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme e cila na kujton rëndësinë e pavarësisë dhe lirisë.