Divergjenca me LSI për financimin/ PD: PS s'e kundërshtoi! Hajdari: Me ndihmën e Metës referendum për sistemin

19 Nëntor 2019, 16:28

TIRANE-Prezenca e OSBE-së në Shqipëri arriti që të bënte bashkë sërish në një tryezë partitë politike në parlament dhe jashtë për Reformën Zgjedhore. Në takimin e sotëm, që ishte i dyti për këtë cështje pas atij të 25 shtatorit, në fokus ishte financimi i partive politike në zgjedhje. PD-ja që përfaqësohej në tryezë nga eksperti për cështjet zgjedhore Ivi Kaso shpalosi propozimet e selisë blu, ku pika kryesore është financimi 100% nga shteti i partive politike për zgjedhjet.

Por në këtë pikë mes opozitës jashtë parlamentit ka divergjenca të forta, pasi LSI-ja e kundërshton duke kërkuar një sistem miks duke detyruar Ivi Kason që të deklarojë se PD-ja është e hapur për një tjetër formulë. Megjithatë, nuk ishte vetëm LSI-ja kundër, pasi drafti u kritikua edhe nga ekspertët e huaj dhe opozita e re, Rudina Hajdari. Por Ivi Kaso në këtë pikë u ngushëllua me faktin se sipas tij 'PS-ja nuk e kundërshtoi draftin'. Një tjetër pikë që u diskutua ishin edhe reklamat e fushatës. Damian Gjiknuri tha se ndërkombëtarët duan ndalimin e reklamave politike.

Por, pavarësisht diskutimeve për financimet apo cështje të tjera, kryesorja për opozitën në parlament është ndryshimi i sistemit. Rudina Hajdari tha se do ta çojë deri në fund betejën për ndryshimin e sistemit dhe kërkoi ndihmën e Metës për referendum. "Referendumi është i vështirë, por ndoshta edhe me mbështetjen e Presidentit mund ta realizojmë" tha Hajdari.

Kujtojmë që pak ditë më parë Hajdari zhvilloi një takim me Presidentin Meta, por nuk dihet nëse është diskutuar për këtë cështje. Ndërkohë që edhe Meta kohët e fundit është shprehur se shqiptarët duhet të vendosin me referendume për cështje delikate. "Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Hajde bëni referendum. Po vjen 22 nëntori, do kërkoj që gjithë problemet në Shqipëri të zgjidhem me referendum. Ti zgjidhë populli” u shpreh Meta.

Por në çfarë faze ndodhet Reforma Zgjedhore? Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar qe reforma të realizohet nga PS dhe PD me praninë e ndërkombëtareve.  Deri tani Komisioni i Posaçëm Parlamentar me përbërje të deputetëve të shumicës dhe opozitës, që drejtohet nga Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri kanë punuar në dy drafte, depolitizimin e komisionerëve dhe financimin e partive politike. Ndërsa opozita në tryezën paralele ka zhvilluar disa takime ku ka diskutuar për votimin elektronik dhe financimet, por ende nuk është zbuluar drafti i plotë me propozimet. 

Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma zgjedhore do të miratohet në dy faza, e para brenda dhjetorit me rekomandimet e OSBE-së (e dyta për sistemin dhe të tjerat vitin tjetër) me apo pa opozitën në Kuvend, ndërsa ka shtuar se nuk do të presë pa fund Lulzim Bashën (opozita ka një karrige në komision dhe të drejtën e vetos). Por pas kushtit të panegociueshëm të opozitës në Kuvend se nuk e japin votën pa u miratuar gjithcka në një fazë përfshirë ndryshimin e sistemit, Damian Gjuknuri e la hapur derën.