‘Do vaksinojmë personalitete të moshuar’ Nikolla: Në liste emri i Kadares! Bejtaj: Mendova se isha dhe unë

17 Shkurt 2021, 23:15 | Përditesimi i fundit: 2021-02-17 23:22:39

Deklarata e kryeministrit Edi Rama ditën e sotme nga “Air Albania’ se në vaksinimin e të moshuarve kundër COVID do të jenë edhe personalitete ka nxitur debat mes të ftuarve më emisionin “Repolitix” ne Report Tv. Zv.ministri i Shëndetësisë, Alber Nikolla tha se në listë të jetë edhe emri i shkrimtarit Ismail Kadare dhe personalitete që kanë dhënë kontribut të fort në fushën kulturore, politike dhe sportive të vendit. Por për mjekun nga kabineti i shëndetësisë në PD, Ilir Pecnikaj shprehet me ironi se Kadare nuk ka nevojë pasi është i izoluar, duke thënë se nuk e kupton dot konceptin e vaksinimit të personalitetit.

“Personat që janë personalitete dhe janë në moshë, janë fare pak dhe kanë impaktin më të fortë. Ka një preferencë kudo në botë që kanë një peshë të fortë kulture, politike, artistike, sportive dhe shpenzohet edhe më shumë nga pikëpamja shëndetësore në rast nevoje. Nuk e di ku jeton Kadare në Francë apo Shqipëri,  një shkrim sot opozitar tha se është kriminale të vaksinonin personalitet, pse është kriminale të vaksinosh Kadarenë?”, tha Nikolla.

Por nga ana tjetër mjeku dhe kryetari në detyrë i PSD, Engjëll Bejtaj tha se kur dëgjoi këtë nga Rama mendoi se do të ishte edhe ai në listë, pasi tha se ka dhënë kontributin e tij si deputet, ministër dhe mjek. Megjithatë tha Bejtaj vaksinimi i personaliteteve duhet të bënte përjashtim kur ishin të moshave 50 vjeç dhe vaksinimi i tyre do të bëhej më vonë, por kur ata janë të moshuar do të vaksinoheshin pasi ashtu është plani i vaksinimit nga qeveria.

“Kur e dëgjova thash se ndoshta do futesha dhe unë. Kam qene 12 vjet deputet, kam qene ministër por jam dhe mjek, por edhe pse jam tërhequr nga pozicioni aktiv i mjeku, angazhimi im vazhdon të jetë. Këtu bëhet fjalë që do të bëjnë përjashtim për disa 50-vjeçar që do i vij radha shumë vonë dhe po bëjmë përjashtim, por kur janë të moshuar s’ka nevojë të jenë personalitete”, tha Bejtaj.