Do vriste Geron Hasanbelliun, dëshmia e Indrit Beqirajt: Nuk vras të martën se e kam ters! Si dështoi atentati dhe pse u tërhoq nga ekzekutimi i 2 nipërve të tij

8 Tetor 2022, 11:51 | Përditesimi i fundit: 2022-10-08 14:49:52

Report Tv ka siguruar detaje të tjera nga rrëfimi i vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj për atentatet që do kryenin me porosi të Kasandro Nogës, i arrestuar në Belgjikë ndërsa është ndër personazhet më të njohur në botën e krimit.

Rrrëfimi i Indrit Beqiraj zbulon planin e eliminimit të Geron Hasanbelliut duke treguar se shuma e premtuar për ekzekutimin e tij ishte 100 mijë euro. Së bashku me 'killerin' e besuar të Kasandro Nogës dhe mikun e tyre Kevin Zeneli, kishin ndjekur lëvizjet e Geronit për 10 ditë por s’ia kishin dalë ta ekzekutonin. Indriti tha se nuk qëllonte të martën duke thënë se e kishte ters, ndërsa vrasjen planifikoi ta kryente të mërkurën, por Geron Hasanbelliu nuk shkoi më në lokalin që frekuentonte.

Vëllezërit Beqiraj dyshonin se i kishte tradhtuar Ilirjan Feçi dhe vendosën që të flisnin me Kasandër Nogën përmes Kevin Zenelit, të cilin e porositi që të vrisnin nipat e Geronit për 50 mijë euro. Edhe ky atentat dështoi pasi kur i vunë në shënjestër, ndodheshin në zonën e populluar të Astirit. Po ashtu, dyshojnë se i tradhtonte edhe Kevin Zeneli pasi Indriti tregon se i gënjente se nuk kishte efektivë policie pranë kioskës së nipërve të Geronit. Ata hoqën dorë nga ekzekutimi nga frika se Kevin Zeneli do t'i shiste. Por, Kevin Zeneli zgjodhi që të vepronte pa vëllezërit Beqiraj dhe më 4 janar të vitit viti 2022, pas porosisë së Kasandro Nogës për vrasjen e Geron Hasanbelliut, ngatërroi objektiv duke vrarë Erion Çelën