SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen 5D, ku ishin të përfshirë ish-drejtorët e bashkisë Tiranë.
Hetimet zbuluan se të pandehurit Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtues në UKT, kanë qenë pronarë të fshehtë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k., duke përdorur ortakë fiktivë. Kjo kompani ka përfituar në mënyrë të parregullt 12 tendera publikë në vitet 2016-2020, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.
Shoqëria ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.