Drejtori i AMF raporton në Kuvend: Tregjet financiare po i kthehen normalitetit

27 Maj 2021, 12:58 | Përditesimi i fundit: 2021-05-27 13:03:50

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi sot, në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2020. Mete bëri një pasqyrim të ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, si edhe masat e marra nga Autoriteti në funksion të garantimit të stabilitetit financiar përgjatë një viti të vështirë, nën efektet e pandemisë COVID-19 dhe pasojave të tërmeteve të fundvitit 2019.   

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se treguesit e 3-mujorit të parë të vitit 2021 sugjerojnë se tregjet nën mbikëqyrje po i kthehen normalitetit.

“Tregu i sigurimeve e mbylli 3-mujorin e parë të këtij viti me një rritje prej 12.5% të të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe asetet neto të tregut të investimeve dhe tregut të pensioneve private shënuan rritje për 3-mujorin e parë, respektivisht me 2.4% dhe 5%,” – tha Mete.        

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se miratimi së fundmi nga Kuvendi i Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është një zhvillim i rëndësishëm. Miratimi i këtij ligji përmbush gjithashtu një nga kërkesat e Komisionit Evropian në progres-raportet e viteve të fundit. Me hyrjen në fuqi më 1 korrik, ky ligj pritet të përmirësojë disa aspekte të funksionimit të tregut të sigurimeve, si edhe të sjellë lehtësime për qytetarët.