Dumani: Besimi që më dhatë do ta përdor për t'u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar! Të demonstrojmë se jemi të aftë kundër çdo shkelës ligji

19 Dhjetor 2022, 09:27 | Përditesimi i fundit: 2022-12-19 09:50:01

Kreu i ri i SPAK, Altin Dumani ka mbajtur fjalën e tij para stafit duke thënë se do të jetë gati për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Nuk është shumë nevoja të prezantohet drejtuesi i ri se kemi punuar 3 vite me njëri-tjetrin përveç kohës që kemi punuar në vende të tjera. Besimin që më dhatë do ta përdor në funksion për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Falenderim të veçantë për Krajën. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të ndërtosh shtëpi të re nga themeli. Sot falë kontributit tuaj të çmuar kemi një prokurori funksionale me bilanc pozitiv. Këto 3 vite kanë qenë të vështira. Pavarësisht këtyre secili prej nesh ka pasur rezultatet e tij, ndaj ju shpreh mirënjohje.

Kemi një prokurori që është në funksion të plotë në përbërje të cilës jemi 70 prokurorë, kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite pune. Ju nxis që të gjithë së bashku të demonstrojmë që jem të aftë kundër çdo shkelës ligji. Unë do jem në krahun tuaj përballë sfidave që na presin. Ju bëj thirrje hetuesve se zyra e drejtuesve është e hapur”, tha Dumani.