Biblioteka Publike dhe Teatri “Aleksandër Moisiu” u bënë mikpritësit e një ngjarjeje të veçantë kulturore, ku u shfaq videoperformanca me rastin e promovimit të librit me poezi “Camera Obscura” të autorit Stefan Çapaliku. Eventi u zhvillua në sallën e teatrit duke ofruar një qasje të re mbi poezinë dhe interpretimin artistik të saj. Autori, Stefan Çapaliku shpjegoi natyrën e imazheve në poezinë e tij, duke theksuar se ato nuk janë imazhe të vendosura në një pozicion të paramenduar, siç ndodh në një studio fotografike.
“Në poezi, shkrepja ndodh pa i vendosur njerëzit në pozë. Ata kthehen në karikatura, duke krijuar një formë unike të fotografimit të realitetit. Kjo bën që shkrimtari të shkruajë në kohën e vet,” u shpreh autori.
“Camera Obscura”, ose e përkthyer në shqip “Dhoma e Errët”, është një fenomen natyror ku rrezet e dritës që kalojnë përmes një vrime të vogël në një hapësirë të errët formojnë një imazh të përmbysur mbi një sipërfaqe. Ky koncept vizual shërben si një metaforë e fuqishme për poezinë e Çapalikut, e cila tenton të fiksoj realitetin në një formë të ndryshme nga ajo që ne jemi mësuar ta shohim.
















