'Dvorani kampion i anti-korrupsionit', Rama thumbon Metën: SHBA mesazh për të! Arrestimi i gjyqtares dhe mjekut fryt i 'drejtësisë së re'

26 Shkurt 2021, 11:08 | Përditesimi i fundit: 2021-02-26 13:43:07

BERAT- Nga Berati ku u shfaq në krah të ish-deputetit të LSI-së, Nasip Naço, kryeministri Edi Rama komentoi dhe njëherë vlerësimin e Ardian Dvoranit nga SHBA, duke thënë se ky është mesazh për Presidentin Ilir Meta i cili e ka sulmuar gjyqtarin. 'Çmimi krijoi një turbullirë të madhe në lagjet e politikës', tha Rama, duke thënë se ishte një mesazh i pastër i SHBA-së për kreun e shtetit, pasi 'dihen përplasjet që ai ka pasur me gjyqtarin'.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, Rama vlerësoi frytet e reformës në drejtësi, pjesë e së cilit ishte jo vetëm çmimi për Dvoranin, por edhe arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha apo arrestimin e mjekut Edvin Prifti.

Këto, për Ramën, janë tregues të Reformës në Drejtësi, që nuk po bëhet vetëm për të kënaqur ndërkombëtarët, por për të mirën e vendit, dhe sipas tij, nuk do të kishte ndodhur kurrë në qeverinë e mëparshme. Numri një i qeverisë tha se është mëse e qartë se kush e do dhe kush e pengon zbatimin e kësaj reforme të rëndësishme

Rama u ndal të komentonte edhe ecurinë e procesit të integrimit në BE, duke bërë me dije se brenda pak ditësh do të ketë një udhëtim në Bruksel për të takuar liderët europian. Ai shprehet i bindur se Shqipëria i ka bërë "detyrat e shtëpisë" dhe pret konferencën e parë ndërqeveritare, e ndërsa thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodh pa u bërë zgjedhjet në Holandë, një vend skeptik që ka shprehur votën e tij kundër.  "Unë për veten time e kam thënë që pa u bërë zgjedhjet në Holandë do dëgjojmë shumë, por konferenca nuk do të ndodhë", tha Rama.